Lajme

“Të hapen arkivat shtetërore për të pagjeturit e luftës”


“Çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar. Është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb”.

Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të tij me drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Martin Schuepp.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Kurti ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë për adresim të kërkesave dhe shqetësimeve të familjeve të personave të pagjetur, për domosdoshmërinë e avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për të pagjeturit dhe familjet e tyre.

Drejtori rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Martin Schuepp dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, ishte tema qendrore dhe arsyeja kryesore e vizitës së Schuepp.

Sipas Schuepp, “është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës që t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur”.

Në të njëjtën ditë, kryeministri i vendit ka pritur në takim edhe ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, dhe një delegacion të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, dhe një delegacion të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky delegacion ishte i përbërë nga Dominique Hautbergue, udhëheqës i Zyrës Rajonale së AFD-së për Ballkanin Perëndimor, Cecilia Maronnier, atashe e bashkëpunimit në Ambasadën Franceze në Kosovë, Florence Dobelle, shefe e rajonit për shërbim ekonomik, dhe Mirela Mata, udhëheqëse e Misionit strategjik dhe operacional të AFD-së për Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas Hautbergue, deri në fund të vitit 2021, portfolio i investimeve nga AFD-ja në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të arrijë deri në 400 milionë euro.

“Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshje me Republikën e Francës, marrëveshje e cila e mundëson veprimtarinë e AFD-së edhe në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Fushëveprimtaria e AFD-së në Ballkanin Perëndimor përqendrohet në katër prioritete kryesore: zgjidhje e qëndrueshme urbane, menaxhim i qëndrueshëm i territoreve dhe ruajtja e burimeve natyrore, mbështetje për tranzicionin e energjisë dhe modele të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse ekonomike dhe politike.

Me delegacionin nga AFD-ja është diskutuar edhe për fushat me interes të përbashkët, sikurse zhvillimi i sektorit privat, energjia e ripërtëritshme, modernizimi i infrastrukturës dhe përkrahja me ekspertizë të nivelit qendror dhe lokal qeverisës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore