Lajme

Të burgosurit nga Danimarka në Kosovë, hedhen dyshime mbi kërkesën për marrjen me qira të qelive


Pamje e hapësirave të një burgu në Kosovë

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Maryam Alkhawaja, derisa ka ngritur dyshime mbi kërkesën e Danimarkës për të marrë me qira 300 qeli nga burgjet e Kosovës, ka thënë se një kërkesë e tillë nuk është bërë për shkak të mungesës së hapësirës në Danimarkë.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ka theksuar se duhet të ketë një arsye pse po bëhet një kërkesë e tillë.

“Nuk është shkaku i mungesës së hapësirës në Danimarkë që qeveria dëshiron të marrë me qira hapësirë për 300 të burgosur në Kosovë, pra pyetja që duhet të bëhet është pse?”.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Maryam Alkhawaja

“Dhe, nëse do të respektohen rregullat, të drejtat dhe ligjet që implementohen në Danimarkë edhe për ata në Kosovë?”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Gjatë vizitës dy ditore në muajin tetor përfaqësues të këtyre dy institucioneve diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit rreth të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, përveç temave të tjera në interes të të dyja vendeve siç janë trajnimet, shkëmbimi i përvojave e praktikave të të dyja institucioneve të cilat do të kontribuonin në ngritjen e kapaciteteve të SHKK-së.

“Vitin e kaluar u diskutua kjo temë, aty u diskutua si ide, dhe gjatë qëndrimit në Kosovë të ekipit nga Danimarka, patën punuar shumë dhe goxha mirë i përafruan qëndrimet”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.

“Ekipi i Danimarkës pati vizituar edhe buxhet në Kosovë dhe më së shumti u pati pëlqyer Burgu i Gjilanit. Si më i ri e më komod”, tregon Gashi.

Dhe diskutimet për të finalizuar marrëveshjen dy palëshe ndërmjet Kosovës dhe Danimarkë, ishin përafruar shumë.

“Marrëveshja arriti deri në atë pikë saqë filloi të diskutohej çmimi”.

Tetor, 2020, ekipi i institucioneve Korrektuese të Danimarkë në vizitë në Kosovë

“Sa do të paguhej Kosova për një të burgosur danez që do të vuante dënimin e burgimit në Kosovë”, ka treguar më tej Gashi.

Sipas zëdhënësit të SHKK-së, sipas kësaj marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, në burgje të Kosovës do të vuanin dënimin, qytetar danezë me rrezikshmëri të lartë.

Së fundi një marrëveshje është arritur mes Danimarkë dhe Kosovës lidhur me burgjet.

Danimarka ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën për të marrë hua 300 qeli në burgjet e Kosovës, raporton “Tv2.dk”.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Haekkerup, ka treguar për marrëveshjen e arritur, duke thënë se do të rriten edhe kapacitetet në burgjet në Danimarkë.

“Në mesin e tjerave, ne jemi pajtuar se duhet bërë punë për të marrë me qira vende burgu në Kosovë për depërtim të të dënuarve nga shtetet e treta”.

“Dhe po zgjerojmë vendet në burgjet në Danimarkë si periudhë afatshkurta ashtu edhe afatgjate”, tha Haekkerup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore