Lajme

Tahiri: Refuzimi i Kurtit ndaj Ramës tregon për logjikën e tij inatçore dhe jo shtet-formuese


Besnik Tahiri.

Sipas shefit të grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), njëherësh edhe deputeti Besnik Tahiri, Qeveria Kurti është duke e shkatërruar Kosovën në “rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm”.

Ai refuzimin e ftesës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë ku janë duke marrë pjesë liderët e rajonit e ka quajtur “inatçor e jo shtet-formues”.

“Mos shkuarja e kryeministrit të Kosovës në një takim joformal i ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, tregon logjikën e mbrapsht, logjikën inatçore, logjikën autoritare dhe jo shtet-formuese të një njeriu që e udhëheq Kosovën. Është e papranueshme që Kosova të përjashtohet nga të gjitha tryezat”.

Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se Veriu i Kosovës, aktualisht është në duart e askujt.

“Në rrafshin e brendshëm Kosova, kurrë nuk ka qenë kurrë me më pak sovranitet, ajo që mund të thuhet sot është se Veriu i Kosovës është në duart e askujt. Kemi dy kryetar që janë të mbyllur tash e më shumë se një muaj dhe kemi një lokacion që nuk ka sundim të ligjit”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, ka thënë se rreziku që po vjen është që ajo pjesë e vendit në arsyet që nuk ka veprim nga Qeveria të kthehet “në një zonë me rezolutën 1244”.

“Mosveprimi i Qeverisë, dhe mungesa e strategjisë për atë pjesë të Kosovës, po e dobëson dhe po e trajton çështjen e Kosovës në formë eksperimentale”.

Ai gjithashtu ka folur edhe për Ligjin për pagën minimale, duke thënë se zyrtarët shtetërorë që punojnë në administrata asnjëherë nuk kanë qenë më të “dobët dhe më të varfër”.

“Kjo qeveri po vazhdon shtypjen politike ndaj administratës së shtetit, derisa vazhdon abuzimi me ligjin e pagave. Shembull, prej mbi 900 të punësuarve civilë që janë në policinë e Kosovës 600 prej tyre kjo qeveri ua ka zvogëluar rrogën. Tri gradat e para në PK, kanë zvogëlim të rrogës ndërsa tek polici i lartë rroga ka mbetur njësoj. Mos të flasim për sektorët tjerë që janë buzë kolapsit”.

Ndërsa, shtoi se kurrë nuk ka pasur më pak drejtësi për punëtorët e sektorit privat.

“I bëjë një pyetje kryeministrit dhe ministrit të Financave le të gjejnë vetëm një të punësuar në sektorin privat që e ka rrogën më pak se 260 euro në tre muajt e fundit. Nuk ka më rrogë ndër pagë minimale 260, paga minimale është dashur të jetë 400 euro siç ka kërkuar AAK”.

“Ky ligj ka pasur për qëllim vetëm që të largojë veteranët dhe paraplegjikët dhe tetraplegjikët”, u shpreh Tahiri.

Po ashtu, pohoi se në “rrafshin e jashtëm” Kosova është vend i barabartë me shtetet autoritare.

“BE-ja e ka sanksionuar Kosovën, SHBA-të kanë marrë sanksione dhe masa të drejtpërdrejta ndaj Qeverisë tonë. E patë që edhe në takimin e fundit joformal në Tiranë, qeveria nuk përfaqësohet me kryeministër ndërkaq detyrohet Qeveria e Shqipërisë të ndaloj një zyrtar shteti”.

AAK-ja ka bërë thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës që të ndaloj “eksperimentin dhe kolapsimin e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore