Lajme

Sveçla procedon projektligjin për pagat dhe zyrtarët publikë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka proceduar për konsultime paraprake Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Zyratarët publik.

Këtë njoftim ministri e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dyja këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies”.

“Shërbimeve publike për qytetarët, bizneset dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë qëllimi parësor i rregullimit të administratës ndaj ne besojmë se ky qëllim është adresuar në këto dy nisma ligjore”, ka shkruar Sveçla.

Shkrimi i Xhelal Sveçlës në ‘Facebook’.

Gjithashtu ka theksuar se pas miratimit në qeveri e kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore