Lajme

Stano: Për heqjen ose jo të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, do vendoset pasi të përfundojë raporti i Këshillit të BE-së


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, do të largohen ose jo, kur të përfundojë raporti i Këshillit të BE-së.

“Diskutimet do të bazohen në raportin e përfaqësuesit të lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së dërguar Kosovës. Raporti është në përfundim e sipër dhe përfundimisht do t’u dorëzohet vendeve anëtare”, tha Stano në një konferencë për media.

Ndryshe, Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Veri të vendit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha javën e kaluar Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore