Lajme

Stano: BE-ja kërkon konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se BE-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia negociata për të gjetur një konsensus të nevojshëm për votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, më tre prill.

Stano mes tjerash ka potencuar se BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat evropiane, për votimin e qytetarëve serbë të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi.

“U takon të dyja palëve (Kosovë/Serbi) të përfshihen në negociata, dhe të gjejnë një konsensus të nevojshëm. BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat evropiane, por në fund të fundit përgjegjësia për të gjetur një marrëveshje u takon të dyja palëve. Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, ua bëri këtë gjë shumë qartë homologëve të tij gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Ndryshe Stano, ka bërë të ditur se të martën e 22 shkurtit, në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

“Ky rund i takimeve do të shërbejë për të vazhduar diskutimet e lidhura me implementimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano për REL.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore