Shqipëria

SPAK nis verifikimin për rastin ‘McGonigal’ pas kërkesës së Gazment Bardhit


Prokuroria e Posaçme SPAK, ka pranuar kërkesën e deputetit demokrat, Gazment Bardhi për nisjen e hetimeve ndaj çështjes McGonigal duke i kërkuar dokumentacion lidhur me këtë.

SPAK i ka kërkuar edhe vënien në dispozicion të materialeve fillestare të drejtësisë amerikane që disponohen prej tij.

Në shkresën e kryeprokurorit, Altin Dumani kërkohet vënia në dispozicion për nevoja të hetimit të akt-padisë së Zyrës së Prokurorit të Distriktit të Kolumbias, datë 15.09.2022.

Më 24 janar, Bardhi njoftoi se i është drejtuar SPAK-ut duke i kërkuar nisjen e hetimeve për organizatë kriminale që sipas tij drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

“Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, njeriu që drejtoi për dekada kundërzbulimin e FBI në New York, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA”.

Sipas tij, ky është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

‘Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së’, Bardhi dorëzon kallëzim në SPAK: Të hetohet Rama

 

Pas arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal  në SHBA, opozita shqiptare konkretisht Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj kanë përmendur takimet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama, dhe akuzat për fshehjen e 225 mijë dollarë –  pagesa që amerikani i pati marrë nga një burim i jashtëm, person me të cilin pati udhëtuar së bashku në Evropë.

Ky person, nga hetimet e mediave botërore, është një shtetas shqiptar, me profesionin ish-zyrtar i shërbimeve të zbulimit.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka thënë se ndaj tij dhe Qeverisë shqiptare ka “zero akuzë dhe zero lidhje”.

Rama i papërfolur në çështjen McGonigal, ish-zyrtari i FBI bëri biznes në kohën e Berishës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore