Shqipëria

‘Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së’, Bardhi dorëzon kallëzim në SPAK: Të hetohet Rama


Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga kryeministri Edi Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bardhi bën me dije se i është drejtuar SPAK-ut duke i kërkuar nisjen e hetimeve për organizatë kriminale që sipas tij drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, ky është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, njeriu që drejtoi për dekada kundërzbulimin e FBI në Nju Jork, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA”.

Bardhi ravijëzon se janë katër vepra penale si: “Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë; Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë; Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal.

“SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA. Drejtësia që hesht përballë fakteve është drejtësi e vdekur. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një drejtësi që vepron ndaj kujtdo dhe që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë”.

Në shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mohoi lidhjet e mundshme mes tij (qeverisë shqiptare) dhe ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal.

“Çështja nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare, nuk ka lidhje me asnjë biznes të çfarëdollojshëm”, garantoi Rama.

Sipas kryeministrit, McGonigal ka qenë dhe mbetet miku i tij.

“Nëse ai ka një çështje me drejtësinë amerikane, lëreni të flasë drejtësia në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk kam asnjë problem, përsa kohë qëndroj në këtë detyrë i marr parasysh të gjitha”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Arrestimi i zyrtarit

Charles McGonigal, i cili ishte agjenti i posaçëm i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën e FBI-së në New York, është arrestuar për lidhjet e tij me Oleg Deripaska, një miliarder rus i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është akuzuar penalisht vitin e kaluar për shkelje të këtyre sanksioneve.

McGonigal doli në pension nga FBI në vitin 2018. Ai u arrestua të shtunën pasdite pasi mbërriti në aeroportin JFK pas udhëtimit në Sri Lanka, thanë burimet.

Ai u akuzua së bashku me një përkthyes gjyqësor, Sergej Shestakov, i cili gjithashtu punonte me Deripaska.

54-vjeçari akuzohet për shkelje të sanksioneve të SHBA-ve duke u përpjekur të largojë Deripaska-n nga lista e sanksioneve.

McGonigal është një nga ish-zyrtarët e rangut më të lartë të FBI-së i akuzuar ndonjëherë për një krim.

McGonigal dhe Shestakov, të cilët punonin për oligarkët hetues të FBI-së, dyshohet se ranë dakord në vitin 2021 të hetojnë një oligark rival rus në këmbim të pagesave nga Deripaska, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Ish-zyrtari i lartë i FBI-së dhe Shestakov akuzohen për marrjen e pagesave përmes kompanive guaskë dhe falsifikimin e nënshkrimeve për të mbajtur sekret që Deripaska po i paguante ato.

Të dy përballen me akuza për pastrim parash përveç akuzave për shkelje të sanksioneve. Secila nga katër akuzat mbart një dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore