Lajme

Shumica e qytetarëve serbë mendojnë se Kosova është e humbur


Beogradi

Sipas hulumtimit të Institutit për Çështje Evropiane, 44.2 për qind e qytetarëve serbë mendojnë se Kosova është e humbur dhe 49.9 për qind besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin.

“Prandaj, gjysma e qytetarëve janë të vetëdijshëm se Kosova është një histori e përfunduar, se është shtet i pavarur, se nuk ka kthim në rrugët e vjetra. Pavarësisht propagandës politike dhe mediatike, gjysma e popullsisë e ka pranuar realitetin se Kosova është e humbur”, shkruan gazetari dhe shkrimtari nga Beogradi Tomislav Markoviç për Al Jazeera.

“Kasta politike serbe jo vetëm që nuk ka zgjidhje për problemet reale, por ajo vetë përfaqëson pengesën më të madhe në zgjidhjen e çdo problemi. Interesat e qytetarëve të Serbisë dhe interesat e kastës politike janë në kundërshtim të plotë”, shkruan ai.

“Politikanët serbë sapo fillojnë të flasin se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës dhe as nuk do ta lejojnë të bëhet anëtare e OKB, ne e dimë menjëherë sa është ora. Në fund të fundit, lufta e tyre për territorin e humbur nuk u sjell dobi as qytetarëve të Serbisë dhe as qytetarëve të Kosovës”.

Markoviç mendon se një konflikt i ngrirë i shkon përshtati vetëm regjimit kriminal në Kremlin dhe kastës politike serbe.

Sipas tij, qytetarët ose do të duhet të gjejnë mekanizma për të detyruar elitën politike të punojë në interes të përgjithshëm, ose do të duhet të krijojnë një elitë të re politike.

“Duke gjykuar nga sondazhet e lartpërmendura, më shumë se gjysma e popullsisë është në disponim për t’u aktivizuar, kështu që ja një mundësi”.

“Si fillim, ata mund të mbështeten tek ata përfaqësues të rrallë politikë që e marrin seriozisht politikën, nuk gënjejnë apo mashtrojnë qytetarët, i përmbahen interesit publik dhe sinqerisht e shohin Serbinë si pjesë të botës demokratike. Nuk është e vështirë t’i njohësh dhe nuk ka shumë prej tyre, mund të numërohen me gishtat e një ose dy duarve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore