Lajme

“Shtyrja e zgjedhjeve lokale nuk është nën kompetencën e KQZ-së”


Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se ky komision nuk ka marrë asnjë kërkesë për shkurtimin e fushatës zgjedhore dhe se shtyrja e zgjedhjeve lokale të parapara të mbahen më 17 tetor të vitit 2021, nuk është nën kompetencën e tij si kryesues e as të KQZ-së.

Ai në mbledhjen e KQZ-së, të hënën e 13 shtatorit ka theksuar se takimi i tij me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë zyrtar dhe se çështjet të cilat i ka diskutuar me të lidhen me hapësirat e nevojshme të objektit për stafin e sekretariatit.

“Është ngritur çështja e shtyrjes apo zvogëlimit të fushatës zgjedhore por në këtë çështje nuk kam dhënë asnjë mendim. Ne nuk kemi kërkesë për shkurtimin e fushatës. Në lexim të ligjit nuk shoh ndonjë arsye që mund të marrim ne për zvogëlimin e fushatës përveç nëse kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, por për zgjedhjet e rregullta nuk kemi ndonjë dispozitë që thotë se mund ta shkurtojmë fushatën”, ka thënë ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi

“Sa i përket shtyrjes të datës së zgjedhjeve ajo nuk është në kompetencë timen e as të KQZ-së as se parasheh ligji këtë çështje. E imja është udhëheqja e komisionit në raport me punën e sekretariatit, e anëtarëve”, shtoi ai.

Sipas tij, KQZ ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që ky komision të ketë qasje në aneksin e ndërtesës për nevojat e stafit, por që kjo ministri nuk ka marrë përgjigje.

“Kemi komunikuar me MPB por mund të them se nuk kemi pranuar asnjë përgjigje prej kohës kur është marrë ai vendim. Qëllimi im ka qenë vetëm të kërkoj nga presidentja që të ketë një komunikim me ministrin sepse ata nuk po përgjigjen në lidhje me këtë kërkesë”.

“I kemi kushtet e pavolitshme në këtë ndërtesë ku jemi sidomos në këtë gjende të pandemisë kur na duhet të punojmë rreth 10 apo 15 persona në zyrat sidomos në atë të regjistrimit të partive politike, e cila punon në tri ndërrime”, shtoi Radoniqi.

Çështje tjetër që është diskutuar në takimin e tij me presidenten Osmani ka qenë edhe nevoja e vaksinimit të stafit që do të punojnë në ditën e zgjedhjeve.

“Diku prej 25 mijë deri në 30 mijë persona do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve”, tha ai, duke shtuar se po ashtu e ka njoftuar presidenten në lidhje me procesin e deritashëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore