Lajme

“FOL”- mungesa e lidershipit politik për reformën e administratës publike, ka dëmtuar buxhetin e shtetit


Shteti i Kosovës, në fillim të vitit 2018 kishte përfituar nga Mbështetja Buxhetore Sektoriale një shumë prej 25 milion eurove.

Lidhur me këtë, organizata joqeveritare “Lëvizja FOL” mbajti një konferencë për media më 30 mars, ku me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) publikuan raportin “Reforma e Administratës Publike në gjendjen e stagnimit”.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli – Nimani, tha se që nga muaji tetor i vitit të kaluar, lëvizja FOL ka monitoruar zbatimin e Kontratës së Reformës Sektoriale për Reformën e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Qëllimi i këtij raporti është të mbështes angazhimin aktiv të shoqërisë civile me procesin e Reformës në Administratë Publike, si dhe të inkurajoj diskutimin mbi sfidat dhe mundësitë për të ecur përpara reformat në administratën publike” tha Mexhide Demolli – Nimani.

Sipas saj, Kosova negociatat me Komisionin Evropian për të përfituar nga Mbështetja Buxhetore Sektoriale i filloi në vitin 2017, ndërkaq në dhjetor të po atij viti, Kontrata e Reformës Sektoriale për Reformën e Administratës Publike (KRS për RAP) në vlerë prej 25 milion € u ratifikua nga Kosova dhe zbatimi i saj filloi në vitin 2018.

Shefi i sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, tha se kanë krijuar një program, në mënyrë që të monitorohet implementimi real i reformës në përgjithësi.

“Qëllimi ynë kryesor është përmirësimi i koordinimit të punëve, kualiteti i implementimit të reformës në fjalë, por njëkohësisht edhe krijimi dhe implementimi i një rregulloreje më efikase. Ngritja e transparencës dhe përgjegjësisë, është kyçe sa i përket zhvillimit përmes kësaj reforme”, tha ai.

Sipas tij qeveritë e kaluara nuk kanë kryer punë siç duhet dhe rrjedhimisht jemi mbrapa me implementim të Reformës.

“Targetet nuk janë të vështira për t’u arritur, mirëpo kërkojnë disiplinë në kryerjen e tyre nga stafi civil”

“Deri më tani kemi parë se si qeveritë e kaluara kanë punësuar staf jo-meritor, duke rritur nepotizmin e kështu edhe punët e pa-kryera, andaj shpresojmë se qeveria e tanishme do bëj reformë të brendshme, duke punësuar staf meritor të cilët do të mbahen përgjegjës për punën e tyre, njëkohësisht edhe drejtor dhe staf menaxherial të aftë”, tha Brusa.

Ndërkaq, Ibadete Mehmeti nga Departamenti për Reformën e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme tha se duke pas parasysh që reforma e Administratës është prioritet, kemi pasur sfida në arritjen e objektivave, ku për mosarritjen këtyre objektivave dukshëm ka ndikuar situata politike në vend si dhe pandemia.

“Ajo çka duhet të përmendet është se kemi arritur progres në disa pika, këtu duhet të përmendet progresi për reformën buxhetore sektoriale nga trashi fix”, ta ajo, duke shtuar se raporti paraqet gjendjen reale në të cilën ndodhemi, por mbetet të punohet në arritjen e objektivave të cilat i kemi caktuar vetes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore