Lajme

Shkarkohen tetë anëtarë të bordit të RTK-së


Radio Televizioni i Kosovës

Me 64 vota për dhe asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar shkarkimin i tetë anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyqi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli, Fadil Miftari janë emrat të cilat u shkarkuan nga bordi i RTK-së.

Deputet e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë përkrahur votimin e shkarkimit të anëtareve të bordit të RTK-së, sepse sipas tyre modeli i financimit të RTK-së nuk është adekuat.

“Koha është që RTK të mos i shërbejë vetvetes por publikut. 3 milionë deri në 4.5 milionë janë borxhet, i kanë tejkaluar shpenzimet, janë arsyetuar se është hapur RTK-ja më gjuhën serbe”, ka thënë Deputeti i VV-së Armend Muja.

Kurse, partitë opozitare e kanë kundërshtuar ashpër rekomandimin e komisionit për shkarkimin e bordit të RTK-së.

“E papranueshme të themi se një televizion si RTK-ja nuk ka auditim, nuk jam në emër të PDK-së këtu, ose ta mbroj dikë nga ligji, nuk e mbroj mungesën e punës të asnjë bordi, por kjo nuk është kapje e shtetit, është plasje e shtetit, me një vendim shkarkoni të gjithë bordet e Kosovës” ka thënë deputeti i PDK-së Bedri Hamza.

Drejtori i Transmetuesit Publik, Ngadhnjim Kastrati ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke thënë se mënyra e shkarkimit të anëtareve të bordit të RTK-së është e rrezikshme për të ardhmen e mediumit publik.

“Ajo çfarë ndodhi sot me mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të bordit të RTK-së është precedent i rrezikshëm për RTK-në, dhe të ardhmen e mediumit publik.

Armend Muja dhe Doarsa Kica e dinë që argumentet e tyre te paraqitura para deputeteve për shkarkimin e Bordit nuk qëndrojnë, por e kanë obligim te kryejnë misionin, dhe kjo është e frikshme për demokracinë! Nesër kush e di çfarë vendimi marrin!”, ka shkruar Kastrati.

Sipas tij: “1. Auditim ka pasur në RTK, 2. Raporti 2020, i performancës dhe ai financiar është publik dhe është një nga raportet me notat më të mira nga auditori i pavarur, 3. Për profesionalizmin e disa anëtarëve të Bordit flasin CV-të dhe përvoja e tyre dhe zgjedhja e tyre nga Kuvendi”.

Kuvendi i Kosovës të mërkurën nuk ka pasur kuorum për votimin e raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020.

Në seancën e të enjtes kanë qenë të pranishëm vetëm 67 deputetë.

Raporti Vjetor për RTK-në që nuk u votua sot është i përcaktuar me ligj, pasi veprimtaria e RTK-së duhet të jetë publike. Raporti Vjetor duhet të publikohet në mënyrën e përcaktuar me Statut dhe pas hartimit i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore