Shqipëria

Shiu mbush Fierzën, niveli i liqenit ka arritur në 270 metra


Niveli i liqenit të Fierzës, baseni më i madh ujëmbledhës në kaskadën e Drinit, është rritur me 11 metra. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta që kanë shoqëruar javën e fundit.

Mësohet se niveli ka arritur në 270 metra nga 259 metra që ishte ditët e fundit të muajit mars.

Si pasojë e thatësirave të javëve të kaluara, hidrocentrali i Fierzës, i cili është vepra energjetike më e madhe në vend, ka ndaluar së prodhuari energji.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe ministrja e Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ku në një mbledhje me Komitetin e energjisë deklaroi se për disa kohë, në Fierzë, “të mos prodhohet energji”.

Niveli maksimal i liqenit është 296 metra dhe në kuotën 240 metër, Fierza ndalon së prodhuari energji elektrike.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), i gjithë vendi, kwtw tw dielw, është përfshirë nga reshjet e shiut, por javën e ardhshme vendi ynë do të ketë më shumë orë me diell.

Sipas IGJEUM, deri tani, asnjë zonë nuk ka paraqet rrezik nga reshjet e dendura.

Tharja e Fierzës

Ditët e fundit të marsit, niveli i liqenit u ul në shifrat e frikshme prej 159 metrash. Në fotografitë e bëra në Kukës, liqeni i përngjante më shumë një moçali!

Ulja e nivelit të ujërave ka shkuar deri në atë pikë, sa ka nxjerrë në sipërfaqe edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit.

Reagimi i autoriteteve për tharjen e tij ka qenë se “ka ardhur si pasojë e thatësirës që po përjeton Shqipëria”.

Sipas ekspertit të mjedisit, Arben Palushi, ngjarje të tilla janë negative “sa i përket vendit dhe konsumatorëve të energjisë elektrike”.

Gjithsesi, është shprehur Palushi, jo e gjithë pesha bie mbi këtë çështje, pasi ka edhe faktorë të tjerë, që nuk varen domosdoshmërisht nga Qeveria.

“Kjo situatë është përsëritur, është e katërta herë që ndodh”, shton ai. “Megjithatë dihen ciklet vjetore të natyrës edhe klimës. Çdo 10 vjet pritej që Drini të binte nëpër minimume”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore