Kosova

Shërbyesit Civil dhe të Administratës, në protestë për ligjin e pagave


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

“Ligji i Pagave”, është një nga shumë arsyet që do të nxjerrë në rrugë, Sindikatën e Shërbimit Civil të Kosovës si dhe Sindikatën e Pavarur të Administratës së Kosovës, për të protestuar.

Protesta është paralajmëruar se do të mbahet të premten e 26 nëntorit në ora 11:00.

Para Sheshit ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, do të protestohet për një orë rresht, në numër të kufizuar të pjesëmarrësve për shkak të masave anti Covid.

Arsyet tjera, sipas tyre, për të protestuar janë edhe “buxhetimi i mjeteve për implementimin e ligjit të pagave në ligjin për buxhet për vitin 2022, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Sigurimi Shëndetësor”.

Punëtorët e Shërbimit Civil dhe Administratës, po kërkojnë nga qeveria që t’u njihet edhe “përvoja e punës për të gjithë zyrtarët publik – SHC të dëbuar padrejtësisht dhe me dhunë nga puna gjatë viteve të 90-ta”.

“Caktimi i pagës minimale si dhe tendenca për frikësimin dhe politizimin e Shërbimit Civil përmes plotësim ndryshimit të ligjit për zyrtarët publik vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk është duke shprehur gatishmëri të plotë për të diskutuar lidhur me këto kërkesa substanciale të adresuara nga SSHCK-ja dhe SPAK-u”, thuhet në njoftimin për protestë të këtyre dy sindikatave.

“Andaj, komfor Ligjit mbi Organizimin Sindikal në Kosovë, si dhe Ligjit për Tubimet Publike, Sindikata e Shërbimit Civil e Kosovës si dhe Sindikata e Pavarur e Administratës e Kosovës morën këtë vendim për protestë”.

Sipas njoftimit, vendimi për protestë është bërë pas mbledhjes së kryesive ekzekutive të SSHCK-së dhe SPAK-ut, pas presionit të anëtarësisë së tyre, si dhe pas injorimit të kërkesave themelore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore