Lajme

SHBA-të afër prodhimit të energjisë pa limit dhe me zero ndotje


Departamenti amerikan i Energjisë ka njoftuar “një përparim historik” në zhvillimin e një teknologjie që mund të gjenerojë energji të pakufizuar dhe të pastër.

Për herë të parë, shkencëtarët kanë arritur të prodhojnë më shumë energji nga shkrirja nukleare se sa energjia e lazerit që u desh për të zhvilluar eksperimentin.

Eksperimenti i kryer ka përftuar gjenerimin e 3,15 MegaJoules të energjisë krahasuar me 2,05 MegaJoules që kishin shërbyer për të shkaktuar shkrirjen.

Ai përsëriti “disa kushte që gjenden vetëm në yje dhe diell”, ka thënë Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm në një konferencë shtypi në Washington.

“Ky moment historik na sjell një hap të rëndësishëm më afër mundësisë së energjisë me zero karbon që fuqizon shoqërinë tonë”, ka shtuar ajo.

Por për të marrë energji në një mënyrë të thjeshtë dhe të aksesueshme për të furnizuar shtëpitë dhe bizneset, do të nevojiten ende shumë zhvillime shkencore dhe teknologjike.

Megjithatë, zbulimi i bërë në Kaliforni mund ta përshpejtojë burimin potencialisht të pakufizuar të energjisë, i cili nuk prodhon dioksid karboni dhe nuk e ka spektrin e mbetjeve radioaktive me një jetë shumë të gjatë.

E ardhmja do të varet nga investimet që do të dedikohen.

Ndoshta urgjenca e ndryshimeve klimatike dhe nevoja për pavarësi energjetike do të mund të favorizojnë një ndryshim të ritmit, duke arritur në disponueshmërinë e burimit të ri që mund të përdoret më parë se 2050-a.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore