Lajme

SHBA ka ndarë 200 milion dollarë për Kosovën


Para Kongresit amerikan, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka prezantuar planin e tij të shpenzimeve të buxhetit të shtetit, ku 200 milionë dollarë janë dedikuar për Kosovën.

Petrit Selimi drejtues i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në një postim në rrjetin social “Twitter” ka publikuar raportin ku thuhet se është miratuar kërkesa e Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për implementimin e disa programeve kryesisht në energji.

Selimi ka shkruar se ky është një lajm i shkëlqyeshëm pasi që Kosova do të marr mbështetje të vazhdueshme financiare.

“ Plus do të vazhdojmë të zhvillojmë një marrëveshje të përqendruar në shumëfishimin e energjisë, futjen potenciale të gazit në Kosovë”, ka shkruar Selimi.

Në dhjetor të vitit 2018, Kosova është zgjedhur për të zhvilluar një program nga ana e drejtorëve të bordit të MCC-së.

Fokusi i këtyre fondeve për Kosovën është kryesisht në energjinë e ripërtritshme. Gjatë dy viteve të kaluara MCC, Qeveria e Kosovës dhe akterët e tjerë të interesit kanë zhvilluar një program të fokusuar kryesisht në fushën e energjisë.

“MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e parapara në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit të energjisë dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, thuhet në publikimin e MCC.

Ndërsa vitin e kaluar këto fonde ishin bllokuar për një kohë pasi që Qeveria e Kosovës kishte refuzuar ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe. Andaj, drejtori i MCC-së, Sean Cairncross i emëruar nga ish presidenti amerikan Donald Trump, kishte biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ku edhe kishte thënë atij se do të bllokohen 50 milionë dollarët e MCC-së, ashtu sikurse do të bllokohet edhe projekti i gazit ku ishte paraparë që të investohen edhe rreth 150 milionë dollarë të tjerë.

Këto fonde ishin zhbllokuar pas heqjes së masës së reciprocitetit ndaj Serbisë dhe këtë lajm e kishte dhënë ish i dërguar i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili kishte bërë një shpërndarje të mirëpritjes së lajmit nga ana e ish presidentit Hashim Thaçit dhe ish kryeministrit Avdullah Hoti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore