Lajme

SHBA: Barrikadat e vendosura në veri të largohen menjëherë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kërkuar që barrikadat e vendosura në veri të largohen menjëherë.

Kështu kanë bërë me dije ambasadat amerikane në Prishtinë dhe Beograd, të cilat kanë dalë në një deklaratë të përbashkët pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor”, shkruhet aty.

Por theksohet se ky arrestim po përdoret si “justifikim” për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Kështu amerikanët bëjnë thirrje që të gjitha postblloqet e paligjshme të çmontohen menjëherë.

“Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit”.

Po ashtu ato kanë shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

“Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.

Në përfundim të deklaratës u bëhet thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese.

“Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore