Lajme

“S’është korrekt nëse Qeveria i merr meritat për vete dhe ua lë kritikat paraardhësve”


Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD)

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD), ka thënë se nëse Qeveria lavdërohet për përparimin dhe zhvillimet e bëra brenda një periudhe të caktuar kohore, atëherë duhet të mbajë përgjegjësi edhe për ngecjet gjatë po të njëjtës periudhë. Sipas tij, është jo-korrekte nëse Qeveria merr meritat për vete dhe ua lë kritikat paraardhësve.

Ky reagim i tij vjen pas deklarimeve nga ana e kryeministrisë për mos-ftesë në Samitin e organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetet demokratike.

“Nëse Qeveria lavdërohet për progresin dhe zhvillimet pozitive brenda një periudhe të caktuar kohore, ajo duhet mbajtur përgjegjëse edhe për ngecjet e problemet tjera – brenda po të njëjtës periudhë kohore”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

“Të vepruarit ndryshe – duke i marrë vet meritat e duke ua lënë paraardhësve kritikat –në rastin më të mirë është jo-korrekte, e në rastin më të keq veç për konsum ditor politik”, shtoi ai.

Ndërkaq, Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka akuzuar Qeverinë paraprake për performancën jo të mirë të Kosovës në demokraci.

Sipas tij, Qeveria Hoti është fajtore për rënien e rezultatit të demokracisë, rënie kjo që penalizoi Kosovën me mos-ftesë në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga SHBA. Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jo-kushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020”, pati shkruar në Facebook Zulfaj.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ndërkohë, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, ka treguar se pse Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë të SHBA-ve.

Sipas kësaj ambasade jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë.

“Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për të avancuar dhe forcuar demokracinë, për të parandaluar prapambetjen demokratike, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë plotësojnë nevojat e popujve të tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore