Lajme

Serwer: Serbia u tërhoq, Kosova bëri një hap modest drejt Perëndimit


Eksperti amerikan dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Daniel Serwer.

Eksperti amerikan dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Daniel Serwer, ka vlerësuar se në marrëveshjen për tabelat e automjeteve është Serbia ajo që është tërhequr, kurse Kosova ka bërë një hap modest në drejtimin e mirë të Perëndimit, tha Serwer për mediumin serb “N1”.

Gjithashtu, u shpreh se Vuçiç do të ishte i lumtur ta marrë veriun e Kosovës. Ndërsa për aplikimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, tha se është rregulli bazë i marrëdhënieve midis vendeve.

“Ju mund të parashikoni që sa herë që ka negociata, negociatorët shkojnë në shtëpi dhe thonë se kanë fituar. Është e qartë se Serbia është ajo që hoqi dorë, kurse Kosova kishte një hap modest në drejtimin e mirë të Perëndimit ”, deklaroi Serwer.

Mirëpo, ai vlerëson se çështja e targave është vetëm një çështje e vogël, se ka qindra të tjera, siç është çështja e personave të zhdukur dhe çështjet financiare.

“Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe unë nuk mendoj se dikush në Beograd as nuk e imagjinon që Beogradi do të menaxhojë një shumicë prej 95 për qind të popullsisë së Kosovës. Ata thjesht po merren me menaxhimin e popullatës serbe në Kosovë dhe nuk ka dyshim se Vuçiç do të ishte i lumtur ta marrë veriun”.

Por, shtoi se shumica e qytetarëve nuk do të ishin të kënaqur me një zgjidhje të tillë sepse shumica e monumenteve janë në jug të Ibrit. Për këtë, ai mendon se më mirë do të ishte që pajtimi të mos bëhet përmes ndarjes, por përmes marrëdhënieve midis dy vendeve sovrane ku popullsia serbe në Kosovë do të mbrohej.

Lidhur me masat anti-damping të aplikuara nga Qeveria e Kosovës, Serwer potencoi se reciprociteti është një ide e mirë dhe se është rregulli bazë i marrëdhënieve midis vendeve.

Eksperti amerikan dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Daniel Serwer.

I pyetur se çfarë mendon për frustrimin e udhëheqësve të BE-së në lidhje me marrëdhëniet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë, por edhe frustrimet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk mund të anëtarësohen në BE, Server pohoi se tani është e qartë se “Serbia nuk ulet më në dy karrige”.

“Vuçiç, tha qartë se nuk do ta zgjidhë çështjen e Kosovës para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, dhe ndoshta as në mandatin tjetër, nëse zgjidhet.

“Pra, ai nuk është ulur më në dy karrige, por në një karrige që është drejt Rusisë dhe Kinës”, tha profesori amerikan.

Serwer, u shpreh se nga ana tjetër, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia mbeten mjaft të orientuara drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në BE, dhe për këtë arsye mendon se të paktën një ose dy vende mund të bëhen anëtare të BE-së para vitit 2030, “nëse janë serioze kur bëhet fjalë për zbatimin e çështjeve juridike të BE-së, ruajtjen e demokracisë dhe një shoqërie të hapur në vendet e tyre”.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore