Lajme

Server: Shpërbërja e Bosnjës është e mundur, por jo pa luftë


Daniel Server

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Server, ka deklaruar se shpërbërja e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk është e mundur pa luftë dhe se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë më të angazhuara nëse duan të shmangin paqëndrueshmëritë e mundshme në Ballkanin Perëndimor.

Server, duke folur për Radio Evropa e Lirë tha se SHBA-të dhe BE-ja, por edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje po testohen çdo ditë, jo vetëm nga anëtari i Presidencës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, por edhe nga Ministri i Brendshëm serb Aleksandër Vulin.

“Deri më tani nuk ka pasur reagim të mjaftueshëm. Amerikanët e kanë bërë shumë të qartë se ata mbështesin strukturat ekzistuese të shtetit. Ata e bënë atë edhe në BE, veçanërisht në Gjermani, por nuk bënë asgjë për të mbështetur atë që kanë thënë”, pohoi Server.

Server, që është edhe profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, shtoi se Perëndimi duhet të fillojë ta shtrojë presionin e vet ose përmes sanksioneve ose mjeteve të tjera që ka në dispozicion.

“Ata bënë një deklaratë të përbashkët nga anëtarë jo-rusë të Këshillit të Zbatimit të Paqes dhe kjo është mirë, por ka ende shumë për të bërë para se Vulin dhe Dodik të ndalen”.

Sipas Server, ndarja e Bosnjës është veç në një formë e mundshme – “me luftë”.

Server gjithashtu tha që qasja e BE-së, që politikanët lokalë në BiH duhet të arrijnë një zgjidhje, nuk është e mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore