Lajme

Sërish protestojnë punëtorët e “Ferronikelit” – ftohen në takim nga LVV


Sindikata e Pavarur e Punëtorëve “NewCo Ferronikeli

Për të tretën herë punëtorët e “Ferronikelit”, kanë protestuar të enjten në qendër të Prishtinës.

Nënkryetari i Sindikatës së punëtorëve të Ferronikelit, Abedin Hoxha, ka thënë se janë duke kërkuar zgjidhje për ndalimin e prodhimit dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës për mbi një mijë punëtorë.

“Jemi tubuar sot për herë të tretë duke shpresuar se Qeveria dhe Kabineti qeveritar do të reflektojë. Kjo proteste sinjalizon  kulturën tonë që nuk meriton përbuzje. Me 8 tetor u ndërpre aktiviteti ynë, mbeten pa punë mbi 1000 punëtorë, nuk po kërkojnë që të na falet energjia. Na mundësoni që të kthehemi në vend të punës. Ndërprerja e punës në fabrikë ka gjeneruar edhe shumë probleme tjera”, ka thënë Haxhiu.

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve “NewCo Ferronikeli”

Pas kërkesave të tyre, grupi parlamentar i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ftuar në takim vetëm pesë nga punëtorët që po protestojnë.

Edhe deputetët e partive opozitare, Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi kanë mbështetur protestuesit.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se së shpejti do të përgjigjen në kërkesat e punëtorëve.

“Sot pritem në takim disa përfaqësues të punëtorëve, ky është takimi i dytë, kriza energjetike ka pasur ndikim në ndërmarrje, sot zyrtarisht kam pranuar nga menaxhmenti, ne si grup parlamentar bashke me qeverinë do të angazhohemi për një modalitet, pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të ndikojë në sektorin e energjisë”, ka thënë Kusari- Lila.

Qeveria e Kosovës.

Që nga 8 nëntori, punëtorët e kësaj kompanie mbetën pa punë.

Kërkesë e tyre është rikthimi në punë, mirëpo kërkesën e tyre ata u detyruan të bëjnë nëpërmjet protestës.

E në rast se nuk do të merren parasysh kërkesat atëherë ata kanë paralajmëruar veprime radikale.

Kriza energjetike në Evropë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, ka bërë që fabrika “Ferronikeli” të ndërprejë përkohësisht punën.

Më 8 shkurt, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ndërprerja është bërë deri në gjetjen e zgjidhjes dhe se për komunën ky është lajm i dhimbshëm, duke përmendur punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.

“Situata e ndërprerjes së punës “Ferronikelit” deri në gjetjen e zgjidhjes, për neve si pushtet lokal është lajm tepër i dhimbshëm, për situatën që do të krijohet për punëtorët dhe familjet e tyre”, ka shkruar Lladrovci.

Sipas kompanisë Ferronikel, ky ishte opsioni i vetëm edhe pse tash e disa muaj janë munduar që të gjejnë zgjidhje.

“Menaxhmenti ka bërë përpjekje intensive që ta evitojë vendimin për ndërprerjen e prodhimit, mirëpo kjo situatë është bërë e pashmangshme, veçanërisht me rritjen e çmimit të energjisë në Evropë gjatë javëve të fundit. Për situatën e rëndë janë informuar rregullisht dhe është kërkuar ndihma edhe te institucionet qeverisëse të Kosovës”.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se janë duke kërkuar një alternativë që do të ju mundësoj rikthimin sa më të shpejt në prodhim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore