Sport

Sergio Aguero largohet nga fusha gati i përlotur


Për klubin e Manchester City-t gjithçka po shkon për së mbari, mirëpo për sulmuesin argjentinas Sergio Aguero duket se gjerat në ekipin anglez nuk po ecin si duhet.

Aguero u pa i dëshpëruar dhe thuajse i përlotur në ndeshjen që ekipi i tij e zhvilloi kundër Borussia Monchengladbach, në Ligën e Kampionëve të martën.

Sipas ESPN, ai u ankua se bashkëlojtarët nuk ia pasuan topin dhe u dëgjua duke thënë: “No me pasan la pelota”, që në shqip nënkupton “Ata nuk ma pasojnë topin mua”.

Pakënaqësia e tij ishte e dukshme për të gjithë të martën mbrëma, ku ai u fut ne lojë nga stoli ne minutën e 75-të, në vend të Bernardo Silvas, atëherë kur dueli vetëm se ishte i fituar nga anglezët.

Gjithsesi, argjentinasi nuk pati paraqitje të mirë madje nuk gjuajti asnjëherë në portën kundërshtare. Aguero gati sa nuk shpërtheu në lot duke u larguar nga fusha pas përfundimit të ndeshjes.

Manchester City e mundi 2:0 klubin gjerman, në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales dhe kaloi në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 4:0 pas dy ndeshjeve.

32-vjeçrari po kalon momente të vështira te Manchester City, i cili gjatë këtij sezoni ka bërë 14 paraqitje në gjitha garat dhe ka shënuar vetëm tre gola.

Aguero u transferua te klubi i Manchester Cityt në vitin 2011, nga Atletico Madrid, dhe që nga ajo kohë ka qenë gjithmonë titullar në ekipin e tij aktual.

Kohëve të fundit është përfolur për një transferim të mundshëm të Agueros te Barcelona me parametra zero, pasi që atij i skadon kontrata me Manchesterin në qershor të këtij viti.

Sulmuesi argjentinas dihet se është një mik i ngushtë i Lionel Messit dhe raportet tregojnë se presidenti i ri i Barcelonës, Joan Laporta, po përpiqet të sjellë Agueron në Camp Nou në mënyrë që të bindë Messin të qëndrojë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore