Lajme

“Serbia po planifikon sulme ndaj Kosovës”, paralajmërimet e Kurtit e Osmanit


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Javën e kaluar, krerët e shtetit, përkatësisht kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, kanë ngritur shqetësimin se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë, pas atij terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator.

Paralajmërimin e saj, presidentja Osmani e kishte bërë në një deklaratë për media në prag të fillimit të Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor, në Bruksel më 13 dhjetor.

Aty, e para vendit kishte deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë, derisa kishte bërë me dije se për këtë do t’i njoftonte edhe liderët evropianë.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do t’i informoj të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, kishte thënë Osmani, teksa kishte kërkuar që të ndëshkohet Serbia nga BE, si përgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Ndërsa, kryeministri Kurti, në një intervistë për median gjermane “Stern”, më 16 dhjetor, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri nga ana e Serbisë.

“Nuk mund të përjashtojmë një sulm sepse nuk varet nga ne. Por, ne jemi vigjilentë dhe kemi mbështetjen e trupave tona dhe atyre të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmi i shtatorit për të mbajtur vendin tonë të sigurt”, kishte thënë Kurti.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, askush në këtë fazë nuk mund të dijë se çfarë do të urdhërojë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, policinë apo ushtrinë e Serbisë.

“Nëse ka demokraci, liderët e zgjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Kjo çon në parashikueshmëri. Por, diktatura shkakton rrezik. Vazhdimisht mund ta ndiejmë agresivitetin e Serbisë: ata kanë 48 baza ushtarake dhe xhandarmëri përreth kufirit me Kosovën – në formën e një patkoi”.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë marrë masa të menjëhershme – pas sulmit terrorist në Banjë – në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo veprimi keqdashës që mund të krijonte de-stabilitet në vend.

Në këtë kontekst, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i janë shtuar trupat në radhët e tyre, për të treguar kështu vendosmërinë e Aleancës në parandalimin e çfarëdo incidenti që mund të krijonte ndonjë krizë më të gjerë.

Çka ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore