Lajme

Serbia e konsideron draft-statutin evropian për Asociacionin si një bazë të mirë për vazhdimin e bisedimeve  


Petar Petkoviç

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, të premten ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, me të cilët ka diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Petkoviç, sipas një komunikate për media, ka potencuar se Serbia “do të vazhdojë të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Sipas Petkoviç draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga BE-ja mund të “përfaqësojë një bazë të mirë për vazhdimin e bisedimeve në Bruksel”.

Duke biseduar për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, Petkoviç ka pretenduar se Serbia është gjetjen e një kompromisi të qëndrueshëm dhe të pranueshëm.

Sipas tij kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt.

“Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në Bruksel në lidhje me ndalimin e dinarit në Kosovë, por fatkeqësisht të gjitha takimet e mëparshme kanë treguar se nuk ka qasje realiste dhe as vullnet politik të Prishtinës për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë Petkoviç.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim –  kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draft-statuti i Asocaicionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në KiE.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka thënë Kurti.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore