Lajme

Sekretet e Letrave dhe efekti i tyre në raundin e ri të bisedimeve në Bruksel


Ilustrim: Harta e Ballkanit

Dy non-paperes e publikuara muajve të fundit – iia slloven dhe ai gjermano-francez – mund të mos kenë autor konkret dhe nuk janë të lëshuara nga adresa zyrtare, por ato do të jenë pjesë e rëndësishme e bisedimeve kur të fillojë raundi i ri në mes të Kosovës e Serbisë.

Ky është opinioni i ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë që kanë folur për “Memory” në episodin e fundit të dokumentarit me titull “Non-papares, Sekretet e Letrave”, publikuar nga Albanian Post.

Ishte muaji prill kur në mediat ballkanike dominoi një lajm. Lajmi ishte i paqartë. Dikush, diku, nëpër shtetet e Ballkanit kishte dhënë një propozim për ri-rregullimin territorial të rajonit problematik.

Bisedat e përhershme jo formale për kufijtë, ishin konkretizuar në një letër, gjithashtu jo formale. Qasja ishte koncize, toni i prerë. Non-paper i parë ishte botuar edhe në disa media lokale, por u problematizua mediatikisht pas publikimit të tij nga një medium slloven.

Kryeredaktori i Necenzurirano, media sllovene që e publikoi lajmin, Primoz Cirman, tregoi për Albanian Post se e kishin hasur letrën dhe më pas kishin marrë vendimin ta publikojnë.

“Me aq sa dimë ne letra është shpërndarë në një forum të politikanëve nga kanale të qeverisë sllovene, më saktësisht nga kabineti i kryeministrit slloven, Janez Jansha”, tregoi Cirman për AP.

Non-paper i iu atribuua kryeministrit slloven Jansha, por bashkë me pikëpyetjet e përfshirjes së Janshas, u ngritën edhe dilema të tjera.

Çfarë janë tash këto dokumente jo formale.

Daniel Serwer, profesori amerikan që është njohës i çështjeve të Ballkanit, në një intervistë ekskluzive për AP, thotë se ato janë nisma diplomatike për të matur tensionet për versione të caktuara.

“Eshtë një mision diplomatik për të lëshuar në lundrim një ide pa u përkushtuar plotësisht në të. Lëshohen non-papers dhe më pas shpresohet se njerëz të tjerë ose do ta pëlqejnë ose do të sugjerojnë se si mund të përmirësohet. Është një gjë që bëhet shpesh”, thotë Serwer.

Derisa Bekim Çollaku, ish-ministër dhe një nga personat më të afët të ish-presidentit, Hashim Thaçi, për një kohë të gjatë, pohon se përkundër që nuk e di autorin zyrtar, non-papers me siguri vijnë nga “ndonjë prej qeverive e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe është bërë në kontest të hapjes së debatit lidhur me opsionet e mundshme për një zgjidhje përfundimtare ndërmjet republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”.

Duke folur për AP, ai tregon se në këso raste “normalisht autorësia nuk bëhet formale, thjeshtë bëhet publikimi i tyre për të nxitur debatin e palëve të përfshira dhe palëve të tjera të interesit”.

Kurse studiuesi shqiptar, por që vepron në Norvegji, në Universitetin e Agder-it, Abit Hoxha, konfirmon se këto lloj letrash “zakonisht nuk kanë autor”.

“Prandaj ato që dalin në Kosovë thonë që është kryeministrija, është ky, është ai autori”.

“Janë pak të pa besueshëm, sepse nuk ka ekspertë aq gjithëpërfshirës askush që ta shkruajë një non-paper për Kosovën në atë pozitë. Pra autori i këtyre ideve është pak më i gjerë se sa një person”.

Përkundër se zyrtarisht pa autorësi dhe mohimit të përsëritshëm, non-paper i parë u pagëzua si slloven. Dokumenti dy-faqesh ishte konkret.

I ndarë në gjashtë pika, letrat ofronin opsione për zgjidhje të dilemave qindra vjeçare në Ballkan.

Pika e parë e tij, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Si hap tjetër ishte edhe bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë.

Ofrohej gjithashtu zgjidhe e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione, Bashkim i kantoneve kroate me shtetin Kroat, apo status special i kroatëve brenda shteti Boshnjak. Dhe me më pas, krijimi i një shteti të ri funksional boshnjak, por tej mase të tkurrur.

Sa i përket çështjes së Veriut, hartuesit e non-paper sqarojnë se mund të përdoret modeli i provincës italiane të Tirolit Jugor. I gjithë ky ri-rregullim masiv i hartës ballkanike thuhej se tashmë është i njohur nga shumë liderë evropianë dhe i pranuar madje. Derisa shpjegohej se edhe është aprovuar nga një numër i liderëve të vendeve që prekeshin.

“Non paper-s paraqiten në rrethana kur duhet të japin solucione, duhet të japin zgjidhje për një çështje të caktuar. Non papers thash janë pozicionet brenda institucionale të cilat shqyrtohen. Nuk hiqen prej tavolinës, janë opsionet reale të cilat shqyrtohen prej qeverive të cilat do të kenë ndikim në atë çështje të caktuar në negociata për dialogun Kosovë – Serbi”, thotë Hoxha për AP.

Edhe Daniel Serwer, beson se ky non-paper, ai slloven, ishte disi më ndryshe se të zakonshmit.

“Besoj se kjo non-paper e parë nuk ishte një non-paper siç normalisht janë këto lloj letrash. Këtë e shoh më rrënjësisht të mbjellur, prandaj për këtë mund të them se më shumë ishte një dokument avokues, që kërkon përkrahje, sesa një non-paper e zakonshme”.

Letra dyfaqëshe dhe zgjidhjet që ofronte linte të kuptohej se ajo përbën vetëm ngjarjen e radhës në versionin shumë të përfolur për ri-rregullimet territoriale në këtë pjesë të botës.

As pas një muaji tashmë, për letrën që konkretizonte edhe nevojën përse duhet të ndodhë ri-rregullimi, por shpaloste edhe strategjinë e përgjithshme dhe hapat drejt këtij qëllimi, nuk e ka marrë autorësinë zyrtarisht ende askush.

Plani megjithatë, përkundër se zgjidh çështjen e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, plotëson dëshirën e serbëve të Bosnjës për t’u bashkuar me Serbinë dhe rregullon statusin e kroatëve në Bosnje, nuk është se akomodon të gjitha problemet në shtetet e Ballkanit, por prapë, siç ka ndodhur historikisht, ngjason të jetë një kompromis tjetër midis dëshirës së popujve vendorë për të formuar shtete kombe dhe interesave të fuqive të mëdha.

Ky ri-rregullim do çonte në fazën tjetër ku shqiptarët dhe serbët do të shkonin më pranë qëllimit të krijimit të shteteve-kombe, ndërsa dëshira e fuqive të mëdha për të stabilizuar Ballkanin do të realizohej.

Por, përkundër kësaj shumë çështje prapë mbeten të pazgjidhura, përfshirë statusin përfundimtar të serbëve në Bosnje dhe shqiptarët në Maqedoninë veriore, të cilët ende do të duan të bashkohen në shtetet e kombeve të tyre.

Prandaj, për profesorin austriak nga Universiteti i Gracit, Florian Bieber, këto lloj opsionesh nuk janë aq reale, porse ato shihen si zgjedhije të lehta.

“Një numër i njerëzve në BE dhe SHBA e pëlqyen këtë ide, jo pse ua ndjenë shumë për kufijtë, por shihet si një rrugë e lehtë për të dalë nga një proces i gjatë dhe i vështirë”, thotë Bieber.

Krijimi i vijave të reja kufitare në Kosovë ishte përmendur edhe më herët.  Një ide, asnjëherë e elaboruar mirë, ishte dhënë nga ish-presidenti Hashim Thaci.

Mbase për faktin se nuk u sqarua mirë, ish-këshilltari i presidentit mendon se është edhe arsyeja përse u refuzua aq kategorikisht.

“Sa ai përket mundësisë së korrigjimit të kufijve që në një periudhë të caktuar kohore ka nxitur  një debat shumë të gjerë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më tutje, unë mendoj se as një herë  nuk është bërë  një diskutim racional se si do të mund të ishte një zgjidhje e tillë dhe se sa do të ishte praktike dhe e pranueshme për qytetarët e republikës së Kosovës dhe shqiptarët ku do që jetojnë”.

Ndryshe nga ideja e dhënë nga brenda, non-papers e ardhur nga jashtë, ngjanë se nuk do të tejkalohen aq lehtë.

Abit Hoxha pohon se “influenca e një non-paperi në kushte normale nuk është shumë e madhe, është një prej opsioneve që trajtohet, por në kushtet tona që non papers kanë dalë në publik, siç duket influence do të jetë më e madhe se sa që pritet”.

“Non papers kur dalin në publik, nuk është thjeshtë një lëshim që del rastësisht”, thotë ai.

Por, s’ishte vetëm një non-paper që u shfaq.

Të gjetura si forma të përshtatshme për të matur ujërat, vetëm pak ditë më vonë, një tjetër non-paper, shumë i ndryshëm nga e para, doli në sipërfaqe.

Non-paper i radhës që erdhi vetëm pak më vonë se ai i pari, merrej vetëm me Kosovën dhe zgjidhjen e problemit me Serbinë. Po ashtu, ishte akoma më konkret se i pari.

Përkundër se edhe ky pa autor, jo zyrtarisht u tha se është i influencuar nga Gjermania dhe Franca. Gjithçka, deri te marrëveshja finale, duhet të realizohet brenda një kornize kohore prej një viti, konkretizon dokumenti.

Pika kryesore e kësaj letre jo formale, parasheh krijimin e një Autonomie me vetëqeverisje të zgjeruar dhe me institucione të vetat.

“Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si një njësi e veçantë administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që e ka të drejtën të miratojë legjislacion në ekonominë rajonale, financa, prona, infrastrukturë, kulturë, edukim, shëndetësi, mirëqenie sociale, drejtësi, shërbime, banim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian”, thuhet në një nga pikat kryesore të dokumentit.

“Distrikti Autonom i Kosovës Veriore do të përfshijë territore të qytetit të Zveçanit dhe 35 fshatrat e tij, Leposaviqin dhe 72 fshatrat e tij, Mitrovicën Veriore dhe zonat e afërme kadastrale dhe Zubin Potokun e 63 fshatrat përreth”, vazhdon detajimi i këtij plani.

Por Serwer thotë se pikërisht “ky është nja nga problemet më të mëdha në Kosovë. Sa shumë autonom? Sa vetëqeverisje do të ketë në Kosovën Veriore? Është një çështje e komplikuar, jo e thjesht. Nuk është diçka që mund ta përfundosh me një Po, ose me një Jo”.

“Pyetja është nëse kjo pjesë e Veriut duhet të jenë më ndryshe nga komunat në pjesë të tjera të Kosovës. A duhet këto komuna të bashkohen në një rajon autonom, apo duhet të mbahen të ndara. Thënë të drejtën ju e dini që ato komuna janë shumë të ndryshme. Mitrovica është një zonë urbane, ka një brum urban dhe komunat tjera me serbë janë shumë më rurale dhe kanë numër më të madh të fshatrave shqiptare, prandaj nuk e kuptoj pse gjithë ajo pjesë duhet të përfshihet dhe të bëhet një. Madje nuk mendoj se komunat më të vogla si Zubin Potoku, Zvecani, Leposavi do të donin të bëheshin pjesë, meqë edhe problemet i kanë të ndryshme”.

Ky Distrikt Autonom që paraqitet në letër “do ta ketë guvernatorin që përfaqëson Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që përfaqëson popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë një organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

Pra një ide e ndryshme nga ajo e non-paper të parë, por për Abit Hoxhën, përkundër se të ndryshme në përmbajtje letrat kanë një pikëtakim.

“Ato të dyja kanë diçka të përbashkët, që është se nuk i përmbushin pritjet, nuk i përmbushin pritjet e Kosovës po as Serbisë, ky është emëruesi i tyre i përbashkët, d.m.th Kosova nuk ka kryeministër që do të nënshkruante ndarjen e Kosovës, cilido, ndërsa nuk ka kryeministër ose president i Serbisë, kryenegociator i Serbisë i cili do të nënshkruante pavarësinë e Kosovës”.

Por, Bekim Çollaku, që për kohë të gjatë vetë ka qenë pjesë e proceseve negociuese, mendon se asnjëra nga të dy opsionet s’përjashtohet kategorikisht.

“Në rastin konkret të dy këto non papers pak a shumë kanë opsionet e mundshme dhe reale që do të mund të aplikoheshin si një zgjidhje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani se cila do të ishte më e përshtatshme për republikën e Kosovës, normalisht që për shtetin e Kosovës marrëveshjet e cila siguron njohja formale de-jure dhe de-facto nga Serbia pa as një kompromis fare në këtë proces do të ishte më e përshtatshmja, a është e realizueshme një gjë e tillë, jam tepër skeptik duke u bazuar në përvojën time personale, që përfshinë një periudhë të gjatë të këtij procesi”.

Por, non-papers përkundër se pa autor, formalizim do të gjejnë në muajin qershor kur Albin Kurti e Aleksnadër Vuçiç të rifillojnë dialogun.

Të dy versionet, e sidomos ky gjermano-frencez besohet se do të jetë temë e bisedimeve.

“Unë mendoj se me doemos se do jenë”, thotë Hoxha.

“Ekzistojnë tri arsye për këtë punë: e para mund të mos jenë pjesë zyrtare e agjendës, por mund të jenë pjesë e negociatave, pjesë e asaj kurtuazisë e bashkëbisedimit, gjatë negociatave ata bëhet negocim në tavolinë në tryezë, por ata duhet edhe të marrin kafe dhe do të marrin një kohë pushime kur dhe do të flitet për këto punë dhe mendoj se zatën ky është edhe qëllimi kryesor i këtyre noon papers, të provokohet ideja gjatë kësaj periudhe, mes negociatave për idetë tjera të cilat nuk janë në tavolinë zyrtarisht”.

Madje, ky mund të jetë funksioni kryesor i këtyre non-paper.

Shërbimi si katalizator për orientim drejt marrëveshjes së pranueshme.

“D.m.th as njëra prej tyre nuk ka opsione reale për Kosovën, por ka opsione që provokojnë marrëveshjen që eventualisht mund të kenë, p.sh., veriu të ketë një status të veçantë për 20 vitet e ardhme, kisha ortodokse serbe të mendohet si eksterritorial i Kosovës ose diçka tjetër, d.m.th këto dy non papers e kanë një kërkesë shumë më të lartë se sa që do ta kenë në tavolinë. Kjo është edhe arsyeja ndoshta pse edhe kanë dalë në media”.

Non-paper gjermano francez përveç opsioneve, saktësonte edhe kohën kur duhet të arrihet kjo marrëveshje.

Megjithatë, vështruar nga jashtë, nuk ngjanë se jemi para një marrëveshje të shpejt.

Të paktën kështu mendon Bekim Çollaku, që me kohën ka krijuar sens kur diçka e madhe po vjen, ose kur gjërat duket se janë në tonin e tyre normal.

“Jam i sigurt që nuk ka marrëveshje të një rëndësie të tillë a një marrëveshje të palëve të përfshira në proces. Mendoj që duhet t’i japim edhe pak kohë këtij procesi për të parë se në cilin drejtim po shkon ky proces dhe e di se çfarëdo zgjidhje përfundimtare në vetvete do të ketë një kompromis i cili mbetet të definohet nga palët e përfshira”.

Një gjë që do ta ndihmonte procesin e normalizimit dhe lehtësonte dialogun shumë, do të ishte sikur kryeministri aktual Kurti të bënte atë që thoshte se do ta bëjë me serbët lokalë sa ishte në opozitë.

“Mendoj se është ekstremisht e rëndësishme që Kurti të bëjë diçka çfarë kishte thënë se do ta bënte dhe nuk e di nëse është duke e bërë ose jo. Kjo është dialogu me serbët lokalë. Po, ai duhet të konsultohet me Listën Serbe, por gjithashtu duhet të konsultohet me kryetarët e komunave serbe që janë në jug të Ibrit. Ditën kur kryeministri i Kosovës, shkon në Bruksel me një pozicion që përkrahet nga serbët në Kosovë, ajo është dita kur ai do ta shënojë fitoren e tij”, thotë Serwer.

Se kush do të fitojë në fund, apo fituesi do të vazhdojë vetëm të projektohet në të ardhmen, varet shumë nga natyra e bisedimeve që po startojnë.

Situata është më ndryshe se në të kaluarën. Tani, shumicën nuk e ka veç lideri serb në Serbi, por edhe kryeministri në Kosovë.

Qeveria Kurti e ka parlamentin dhe mandatin nga populli për të gjetur një zgjidhje. Për të vendosur një pikë përfundimtare në novelën e stërzgjatur të bisedimeve pa mbarim.

Dhe vetëm pas takimeve të para në Bruksel do të kuptohet nëse non-papers ishin letra me dëshira të autorëve pa emër, apo prapa tyre qëndronin jo vetëm autorë, por edhe shtetet të fuqishme evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore