Lajme

Scholz: Do të rizgjoj qendrën e majtë të Evropës


Kandidati i Partisë Social Demokratike për kancelar në Gjermani, Olaf Scholz, në një intervistë ekskluzive për prestigjiozen britanike “The Guardian”, u shpreh se do të rizgjojë qendrën e majtë të Evropës nga “përgjumja” e saj 10-vjeçare.

Ai theksoi se do të garantojë suksesin e vazhdueshëm ekonomik të vendit të tij.

Zëvendëskancelari dhe ministri i Financave në Gjermani, në shumicën e sondazheve të realizuara, është shpallur fitues.

Scholz tha se, ai do të përdorte fitoren politike për të filluar një debat të ri rreth asaj se si do të ripërcaktohen meritat profesionale dhe shoqërore.

“Pse Britania votoi për Brexit nëse ishte kundër interesit të saj? Pse Amerika votoi për Trump? Kjo sepse njerëzit po përjetojnë pasiguri të thella sociale dhe u mungon vlerësimi për atë që bëjnë”, u shpreh 63-vjeçari.

E përqendruar rreth fjalës “respekt”, fushata e Scholz-it frymëzohet shumë nga shkrimet e fundit të filozofit të Harvardit, Michael Sandel, mbi “tiraninë e meritës”.

Mendimtarë të tillë, si Sandel ose Daniel Markovits, argumentojnë se meritokracia – një sistem politik që synon të shpërblejë individët në bazë të talentit, përpjekjes dhe arritjeve – është dominuar nga punëtorët e arsimuar.

“Nuk ka asgjë të keqe në lidhje me meritat e tilla”, tha Scholz.

Olaf Scholz gjatë fushatës elektorale

Sipas tij, kjo nuk është diçka që duhet të kufizohet vetëm tek ata që fitojnë më shumë dhe ata me diploma universitare.

“Një roje sigurie gjithashtu ka merita. Punëtorët manualë nuk meritojnë më pak respekt sesa akademikët”, u shpreh kandidati i CDU-së.

Projekti i kandidatit të SPD-së për të ringjallur qendrën e majtë gjermane mbetet një akt balancues.

Helmut Schmidt, kancelari socialdemokrat i Gjermanisë nga 1974 në 1982, është një model i dukshëm për kandidatin e SPD-së.

Angazhimi i Scholz-it për ndarjen e sovranitetit evropian është më i theksuar sesa ai i Merkelit.

“Nga mesi i këtij shekulli, bota do të ketë 10 miliardë banorë. BE-ja në këtë pikë do të ketë ende vetëm 400 milionë. Nëse duam të ruajmë gjërat që na interesojnë në Evropë – demokracia, sundimi i ligjit, liritë individuale, një ekonomi tregu, një shtet social – atëherë duhet të punojmë së bashku”, finalizoi Scholz intervistën e tij.

Poster elektoral i fushatës së Olaf Scholz

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore