Shqipëria

Satelitët shqiptarë janë gati për t’u lëshuar në hapësirë


Gjithçka është gati për lëshimin e satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2”, nga qendra e aviacionit “Kennedy” në Florida të SHBA-ve.

Kështu ka bërë me dije Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në median e tij sociale Facebook, ku ka publikuar edhe fotografinë e dy satelitëve në fazë përgatitore.

“Dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2”, shpjegon kreu i Qeverisë.

Teksa, ai thekson se vendi do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

Ndër të tjera, dy satelitët do t’u vihen në dispozicion edhe institucioneve, të cilat ushtrojnë detyrat lidhur me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane apo prodhimin bujqësor.

Më 2 tetor 2022, do të nënshkruhej edhe kontrata përfundimtare mes Qeverisë shqiptare dhe kompanisë amerikane “Satellogic USA Inc”, për ofrimin e shërbimeve satelitore.

Marrëveshja, u arrit konkretisht rreth një vit pasi Rama kishte premtuar se Shqipëria, do të kishte në hapësirë dy satelitët e saj, për monitorimin e territorit.

Nga vetë kompania amerikane, është shpjeguar për Albanian Post se si do të funksionojë gjithë infrastruktura përkatëse e ofrimit të shërbimit.

“Po, me Konstelacionin e Satellogic, Shqipëria do të përgatitet me aftësitë reaguese ndaj imazheve satelitore për të mbuluar të gjithë territorin”, tha për AP, përfaqësuesi i kompanisë, Andrew Kelly.

Sipas tij, me infrastrukturën cloud të Satellogic, Shqipëria do të ketë akses në detyra të përgjegjshme, analiza dhe shpërndarje të njohurive dhe informacionit kritik të ministri të ndryshme në vend dhe të ndërtojnë kapacitetet e ekonomisë shqiptare të hapësirës.

Me këtë marrëveshje Shqipëria do të jetë pararojë edhe mes shumë vendeve të NATO-s për teknologjinë e sovranitetit ajror.

Kelly shpjegon se me aksesin prioritar të dy satelitët: “Albania-1” dhe “Albania-2″, Shqipëria mund të përshpejtojë përfshirjen në komunitetin hapësinor.

Sipas tij, Qeveria shqiptare do të shfrytëzojë fuqinë e imazheve satelitore me rezolucion të lartë për akses dhe ndërgjegjësim në situata të ndryshme.

“Satellogic do t’i mundësojë Shqipërisë të adresojë çështjet që ajo i konsideron urgjente, si menaxhimi i bujqësisë, kulturat e paligjshme, aktiviteti i ndërtimit të paligjshëm, menaxhimi i trafikut, monitorimi i zjarreve, siguria kufitare dhe monitorimi i mjedisit”, thotë Kelly.

Çfarë parashikon kontrata?

Kontrata e firmosur mes palëve ka vlerën e gjashtë milionë dollarëve.

Vetë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë e shumë të tjera.

Ajo po ashtu, do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit

Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara.

Në fushën e turizmit – e rëndësishme për ekonominë shqiptare – ajo do të shërbejë për të dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore