Lajme

Sarrazin: Ulja e prezencës së policisë në Veri për 25 % nuk mjafton, çështja e Asociacionit diskutohet në baza ditore me Qeverinë


Manuel Sarrazin

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë sipas të deleguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ky hap i Kosovës ndonëse është pozitive nuk mjafton.

“Bashkimi Evropian ka një plan të qartë me tre pika që nuk nënkupton largimin e prezencës së forcave speciale të policisë në Veri dhe pranë ndërtesave komunale, dhe ulja prej 25 për qind është një hap drejt kësaj, por qartësisht që nuk përmbush kërkesat e Unionit”, ka thënë diplomati gjerman në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

Duke folur për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njëra ndër kërkesat e komunitetit ndërkombëtar të cilën duhet ta plotësojë Kosovës me çdo kusht, Sarrazin theksoi se kjo temë diskutohet me krerët institucional kosovarë për çdo ditë.

“Situata duhet të qetësohet në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë normale pa situata emergjente të përditshme, pa frikën se mund të ndodhë diçka çdo minutë. Ky është parakusht që ata të kthehen në tryezë, të fillojë dialogu dhe të formohet Asociacioni”, ka potencuar ai.

I pyetur se ka BE-ja ndonjë mekanizëm për të detyruar Kosovën të përmbushë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, Sarrazin potencon se mënyra më e mirë për të bërë këtë është që Kosova dhe Serbia fillimisht të kontribuojnë në de-përshkallëzimin e situatës në Veri.

“Na duhet konfirmimi i vullnetit të qartë të palës serbe për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit dhe që Kosova t’i plotësojë kërkesat tona, që është zhvendosja e kryetarëve në objekte të tjera nga ndërtesat komunale dhe largimi i forcave policore, si dhe zgjedhje në katër komunat veriore me pjesëmarrjen e Listës Serbe, natyrisht”.

Sarrazin ndër të tjera ka potencuar se Serbia duhet të ndryshojë qasjen për sa i përket Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit dhe ta zbatojë atë plotësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore