Lajme

Samiti i NATO-s në Vilnius – Shtetet anëtare bëjnë thirrje për de-eskalim të situatës në veri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit


NATO

Udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s, pas takimit në Vilnius të Lituanisë të martën e 11 korrikut, nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për qetësimin e situatës në veriun e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhet në deklaratën e krerëve të shteteve të NATO-s.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që menjëherë të de-përshkallëzojnë situatën, t’i kthehen dialogut dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur së fundmi në Bruksel (27 shkurt) dhe Ohër (18 mars)”.

Ndër të tjera thuhet se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), do të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe lirinë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësit e shteteve anëtare gjithashtu kanë dënuar dhunën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe sulmet e paprovokuara të protestuesve serbë që shkaktuan lëndime serioze ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndërsa thuhet se forcimi i marrëdhënieve mes NATO-s dhe Serbisë do të ishte në dobi të të gjithë rajonit.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç theksohet nga historia jonë e gjatë e bashkëpunimit dhe operacioneve. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur reformat që avancojnë aspiratat përkatëse për NATO dhe BE të vendeve në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore