Kosova

Samiti i BE-së është keqkuptuar, aty s’merren vendime për vizat


Flamuri i Kosovës dhe i BE-së.

Ka përfunduar dita e parë e Samitit të Bashkimit Evropian, por Kosova ende nuk e ka marrë lajmin e shumëpritur se qytetarëve të saj u janë hequr vizat.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanin, përtej deklaratave, ka kërkuar “hapa konkret”.

“Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”.

Por cilat janë procedurat për t’iu hequr vizat Kosovës?

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, ka thënë për Albanian Post se në publik ndoshta është paraqitur në formën e gabuar, sepse në samite të tilla nuk merren vendime për vizat.

“Në këtë samit mund të pritet, apo është pritur që të kemi një vendim politik që të konfirmohet që procedurat do të vazhdojnë në një ritëm më të përshpejtuar që deri në fund të vitit të kemi procesin e përmbyllur”, tha Arifi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e Bashkimit Evropian.

Ai ka treguar edhe për hapat e deritashëm që janë bërë për liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket çështjes së vizave janë realizuar vetëm katër hapa që nga koha kur Komisioni Evropian ka kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat dhe deri tash jemi deri të Komiteti për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ne kuadër të Parlamentit Evropian”, ka shpjeguar profesori Arifi.

Tani sipas Arifit, çështja ka mbetur të ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe nëse hynë në agjendë, atëherë takohen tri institucione.

“Është Komisioni Evropian Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave të cilat marrin një vendim që mandej ato rekomandime kalojnë prapë të ambasadorët e BE-së dhe vendimi shkon në Parlamentin Evropian.

Por, sipas tij, deri sa të del në gazetë zyrtare merr një kohë nga pesë deri në shtatë muaj.

Unë nuk kam pritur një gjë e tillë, ajo çka kam pritur që të ketë një angazhim të madh politik, por nuk ndodhi.

Më me rëndësi për BE-në janë problemet politike që nuk kanë mundur t’i japin zgjidhje, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, pra BE-ja po shihet se është e ndarë në rrugën e integrimit dhe kjo do ta dëmtojë çështjen e vizave

“Pra nëse të gjitha procedurat ashtu siç i parashkruam shkojnë sipas planit pra mund të themi që në tre mujorin e parë mund të kemi liberalizim të vizave për në Bashkimin Evropian”.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola u ndal veçanërisht tek liberalizimi i vizave për Kosovën. Në Bruksel gjatë zhvillimit të samitit, Metsola tha se Ballkani Perëndimor duhet të gjejë vendin e tij në shtëpinë evropiane.

“Është një ditë historike. Sot është dita kur ne duhet të fillojmë realisht negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe duhet të fillojmë realisht të flasim për të garantuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Ballkani Perëndimor duhet të gjejë vendin e tij në shtëpinë evropiane. Sot është dita kur zgjerimi duhet të përdoret në kohë lufte,” shtoi ajo.

Historik i rrugëtimit të Kosovës drejt Liberalizimit të Vizave – 1 dekadë pritje, apo më shumë

Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë, që ende nuk mund të lëvizë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë pa viza që nga dhjetori i vitit 2009. Për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, lëvizja pa viza u bë e mundur që nga fundi i vitit 2010.

Samiti i Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel më 23 qershor, mblodhi liderë, jo vetëm evropianë. Ai i parapriu një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Obelisku “NewBorn” i transformuar në “No Walls”

Si pjesë e të fundit, Shqipëria dhe Kosova janë të pranishme së bashku, por me narrativë tërësisht të ndryshme.

E megjithatë, një element i vetëm i bashkon: Pritja!

Dy janë rrugëtimet e gjata dhe të lodhshme që bashkojnë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Njëra në pritje dhe me kërkesë për liberalizimin e vizave dhe tjetri tashmë pothuaj i dorëzuar përballë pafuqisë së Unionit për të hapur negociatat.

Me “na leni të hyjmë brenda”, e ka përfunduar fjalimin presidentja Osmani në Samit. Ndërkohë, u ka kërkuar anëtarëve të BE-së që të reflektojnë e t’ia liberalizojnë vizat Kosovës.

500 mijë familje kosovare jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe Zvicër dhe kanë pasaporta të BE-së.

100 mijë familje të tjera jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e diasporës. E po të bëjmë një llogari të shpejtë, do të shohim që numri i të rriturve të cilët janë në pritje të një vendimi evropian për lëvizjen e tyre të lirë në kontinent nuk i kalon 350 mijë. Aq sa janë turistët ditorë në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore