Lajme

Ryanair dënon Bjellorusinë, por çfarë u tha kur bota kishte sytë nga Minsk-u?


“Ryanair e dënon veprimin e paligjshëm të autoriteteve bjelloruse, të cilat i ndërruan drejtimin fluturimit FR4978, nga vendmbërritja Vilnius drejt Minsk-ut. Çështja po shqyrtohet tashmë agjencitë e sigurisë së Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.

Gjithçka duket normale në këtë postim në Twitter të faqes së zyrës për shtyp Ryanair. Por ajo që është shqetësuese, është fakti se ky postim, është përditësim i një të mëparshmi.

Kur gjithë bota kishte sytë kah kryeqytetit të Bjellorusisë dhe gëlonte në mllef për veprimin e pabesë të regjimit të Alexander Lukashenko-s, mbi rrëmbimin e gazetarit Roman Protasevich, pikërisht në atë avion, Ryanair shkruante se fluturimi kishte mbërritur shëndoshë e mirë në Vilnius.

Në 21:07, tweet-i i Ryanair është më se i qartë: “Fluturimi ynë FR4978, është ulur me sukses në Vilnius në orën 21:25 me atë lokale lituaneze”.

Ndër të tjera, në postim shkruhet se diversioni drejt Minsk-ut nuk ishte siç u pasqyrua. Sipas tyre, avioni ishte instruktuar të shkonte drejt Bjellorusisë, për shkak të një rreziku potencial në bord.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj, kontrolle sigurie ishin kryer. Asgjë nuk ishte gjetur në bord. Shtatë orë pas qëndrimit në pistën e Minsk-ut, avioni u ringrit, për t’u ulur me sukses në Vilnius, ku kishte edhe vendmbërritjen përfundimtare.

Në postim bëhet me dije se kanë qenë njoftuar autoritetet përkatëse evropiane për ngjarjen. Një kërkesë falje është kërkuar gjithashtu ndaj pasagjerëve, fluturimi i të cilëve u vonua për shkak të kësaj ndalese.

Por, mbi rrëmbimin e Protasevich, asgjë nuk u tha! U deshën 15 orë, që Ryanair të bënte një mea culpa mbi ngjarjen.

Një ngjarje, e cila ka tërhequr sytë e gjithë botës. Por, me sa duket, jo ato të Ryanair në çastet fillestare!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore