Lajme

Rusia dëbon 40 diplomatë gjermanë


Moska të hënën e 25 prillit ka njoftuar se do të dëbojë 40 diplomatë gjermanë, si kundërpërgjigje të “vendimit jomiqësor” të Berlinit për të dëbuar diplomatët rusë për konfliktin në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë, në një deklaratë, thirri ambasadorin e Gjermanisë në Moskë, të cilit i dorëzoi një shënim “që, si pjesë e një përgjigje simetrike, shpall persona non grata dyzet punonjës të institucioneve diplomatike gjermane në Rusi”.

“Një protestë e fortë iu bë kreut të misionit diplomatik gjerman në Moskë në lidhje me vendimin haptazi jomiqësor të Qeverisë gjermane, për të dëbuar diplomatët rusë”, deklaroi Ministria.

Më herët në prill, Gjermania bëri të ditur se po dëbonte një “numër të konsiderueshëm” diplomatësh rusë, mes lëvizjeve të ngjashme nga shtetet e tjera evropiane.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se vendimi ishte në përgjigje të “brutalitetit të pabesueshëm” të forcave ruse në fqinjin e saj properëndimor, Ukrainën.

Ministria e Jashtme ruse i quajti fjalët e Baerbock “të papranueshme”.

Institucioni shtoi se vendimi i Berlinit ishte “motivuar nga një pohim absolutisht i rremë, se puna e punonjësve të lartpërmendur kishte për qëllim minimin e ‘lirisë së Gjermanisë’ dhe ‘unitetit të shoqërisë gjermane’, si dhe insinuata për atë që po ndodh në Ukrainë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore