Lajme

Roth bën thirrje për një ndryshim në politikën ndaj Rusisë


Deputeti i Bundestag-ut nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë dhe kryetari i komisionit parlamentar për çështjet ndërkombëtare, Michael Roth, bëri thirrje për krijimin e një arkitekture të re të sigurisë evropiane.

Kjo, e bazuar në parandalimin ushtarak, izolimin politik dhe ekonomik të Rusisë.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi vendas “Deutsche Welle”, duke cituar intervistën e zyrtarit për “Welt”.

“Ne kemi nevojë për më shumë realizëm në lidhje me Rusinë, jo mendime naive”, shkroi Roth në një rubrikë për Welt.

Sipas tij, siguria në Evropë mund të ekzistojë “vetëm kundër Rusisë, jo së bashku me të”.

“Në të ardhmen, nuk mund të ketë asnjë mënyrë të veçantë për Gjermaninë me Rusinë në kurriz të partnerëve tanë nga Evropa Qendrore dhe Lindore”, shtoi Roth ndërsa bëri thirrje për një rishikim të politikës gjermane ndaj Rusisë.

Politikani theksoi gjithashtu “gabimet e rënda” që partia e tij ka bërë në të kaluarën.

Sipas tij, SPD-ja “është me të drejtë krenare për politikën e Willy Brandt të viteve 1970”.

Bëhet fjalë për parimin e “ndryshimit përmes afrimit”, i cili ishte lajtmotivi i politikës së SPD-së dhe që synonte uljen e tensioneve në marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik.

“Me gjithë arritjet e tij historike, ne nuk duhet të fshihemi pas Willy Brandt përballë ndryshimeve rrënjësore në botë”, shkruan Roth.

Në të njëjtën kohë, sipas tij, për të rimenduar këtë politikë, “në asnjë rast nuk duhet të braktisen linjat tradicionale socialdemokrate”.

“Angazhimi i Brandt për paqen dhe detantimin ishte kaq i suksesshëm edhe sepse u mbështet nga fuqia ushtarake nën maskën e parandalimit bërthamor”, kujtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore