Kosova

Rohde mirëpret Rezolutën e PE-së për ngjarjet në Banjë: Scholzi gjithashtu kërkon hetime intenzive


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur miratimin e rezolutës mbi zhvillimet e fundit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga Parlamenti Evropian (PE), përfshirë ngjarjet vdekjeprurëse në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

PE-ja, përveç dënimit të sulmit frikacak të paramilitarëve serbë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë në hetimin e ngjarjeve të 24 shtatorit, duke përfshirë ndjekjen penale dhe ekstradimin e personave përgjegjës në duart e drejtësisë kosovare, pa vonesa të mëtejshme.

E diplomati gjerman ka përsëritur thirrjen e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili, në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Rezolutë e rëndësishme e PE-së për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë. Siç ka thënë kancelari Scholz, ne kërkojmë hetime intensive dhe kërkojmë nga Serbia që të bashkëpunojë në hetimin e autoriteteve të Kosovës. Ai gjithashtu ka nënvizouar nevojën urgjente që të dyja palët të tejkalojnë konfliktin”, ka shkruar ambasadori Rohde.

PE-ja ka miratuar rezolutën për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në seancën plenare të së enjtes (19 tetor) në Strasburg të Francës, ku ka kërkuar nga BE-ja edhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë nëse vërtetohen dyshimet se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore