Lajme

Rohde kërkon që procesi i mbledhjes së nënshkrimeve të nis urgjentisht edhe në Zubin Potok e Zveçan


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ndërsa ka përshëndetur fillimin e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, ka kërkuar që i njëjti të proces të nis edhe në dy komunat e tjera në Veri.

“Është thelbësore që procesi i mbledhjes së nënshkrimeve të fillojë menjëherë dhe pa probleme edhe në dy komunat e mbetura”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Ndryshe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, të enjten ka mirëpritur vendimin e serbëve në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kornizën ligjore për të mbledhur nënshkrime për peticionin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Ai u ka bërë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore që t’iu ofrojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm grupeve nismëtare që të iniciojnë peticionin edhe në dy komunat e tjera në Veri të Kosovës Zveçan dhe Zubin Potok.

Më 17 janar në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq ka nisur mbledhja e nënshkrimeve, ndërsa një proces i tillë nuk ka nisur ende në Zubin Potok dhe Zveçan.

Anëtarja e grupit iniciues për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Sanja Krtiniç, bëri të ditur se të mërkurën janë grumbulluar më shumë se gjysma e nënshkrimeve të nevojitura për nisjen e procesit të shkarkimit të Atiqit.

“Jemi shumë të kënaqur me reagimin e qytetarëve duke qenë se kjo është vetëm dita e parë e mbledhjes së nënshkrimeve. Kemi mbledhur më shumë se gjysmën e 3 mijë e 640 votave të nevojshme”, potencoi ajo

Krtiniç ndër të tjera deklaroi se procesi ka kaluar pa ndonjë incident ose parregullsi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore