Lajme

Rikthehet ngrohja për qytetarët e Prishtinës


Këtë të enjte në ora 8:10 është rikthyer ngrohja për qytetarët e Prishtinës nga Termokosi pasi ka filluar të furnizohet me avull nga KEK-u.

“Në KEK aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të Kosovës A (A3,A4 dhe A5) dhe njësia B1 në Kosovën B me kapacitet të prodhimit prej rreth 650 MË/h. energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

“Duke falënderuar punëtorët për angazhimin e vazhdueshëm si dhe palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK vazhdon me përpjekjet maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike në kushtet aktuale të krizës sezonale dhe globale energjetike”.

Ndërmarrja Publike “Termokos” përmes një postimi në Facebook ka njoftuar të mërkurën se është ndalur ngrohja për të gjithë konsumatorët për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u.

Ndryshe Kosova ditëve të fundit po përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Të mërkurën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëjnë krejt çka dinë e munden për t’u dalë zot qytetarëve për furnizim sa më të qëndrueshëm e çmime sa më të përballueshme.

“Ne e dimë që e kemi popullsinë e varfër. E kuptojmë që është situatë e rëndë, por nuk e kemi ndërmend që të kursejmë për qytetarët. Kur kam qenë në opozitë, asnjëherë s’kam kundërshtuar akse që ka bërë ftesë për kursim të energjisë elektrike”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se sipas tij do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.

Kurti në një konferencë për media ka thënë se dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht janë jashtë funksionit.

“Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve, do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike”.

“Dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht i kemi jashtë funksionit si pasojë e avarive të paparashikuara. Kjo ka rritur edhe më tepër kërkesën për importe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore