Lajme

Rezoluta e Parlamentit Evropian përgënjeshtrim i mrekullueshëm i politikave të Borrell e Lajçak kundrejt Kosovës e Serbisë, thotë Butikofer   


Reinhard Butikofer

Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, ka përshëndetur Parlamentin Evropian për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në Veri të Kosovës.

Rezoluta, sipas Butikofer, përmban shumë elementë më interesantë dhe të rëndësishëm.

“Është ndoshta rezoluta më e fortë dhe më vendimtare që Parlamenti Evropian ka pranuar në disa vite për këtë çështje”.

Duke komentuar përmbajtjen e Rezolutës, Eurodeputeti gjerman, bënë të ditur se i njëjti identifikon qartë përgjegjësinë serbe për përshkallëzimin e tensioneve si dhe u bën thirrje shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.

“Rezoluta shpreh keqardhje për sanksionet e BE-së kundër Kosovës dhe kërkon tërheqjen e tyre. Thekson se BE-ja duhet të bëhet një ndërmjetës i ndershëm”, ka shkruar Butikofer në platformën sociale, X.

Mbi të gjitha, thekson Butikofer rezoluta është një përgënjeshtrim i mrekullueshëm i politikave të Josep Borrell e Miroslav Lajçak kundrejt Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse shtetet përkatëse anëtare të BE-së marrin pjesë, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kjo mund të shënojë një fillim të ri për marrëdhëniet BE-Beograd dhe BE-Prishtinë”, shton ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore