Shqipëria

Reshje të dendura shiu nga data 22 deri në 26 janar


Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kanë parashikuar reshje intensive shiu prej datës 22 deri më 26 janar në të gjithë vendin.

Pritet që intensiteti i reshjeve të shkojë deri në 230 milimetra për 24 orë në zona të caktuara si: Shkodër, Kukës dhe Dibër. Nuk përjashtohen as qarqet e tjera.

Bazuar në këto të dhëna, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, paralajmëron bashkitë dhe prefekturat të marrin masat e duhura që situata të mos i gjejë të papërgatitur.

“Duke qenë se reshjet mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të lumenjve kryesorë si: Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe në veçanti të baseneve të Drinit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkon nga pushteti vendor intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe qendrore”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Ajo sugjeron marrjen e masave nga strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe parapërgatitjen. Në rast se do të jetë e nevojshme të bëhet evakuimi dhe akomodimi i personave dhe i gjësë së gjallë.

Kjo bëhet me qëllim për ruajtjen e jetës, pronës së popullatës, gjësë së gjallë, objekteve të rëndësisë së veçantë, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.

Bëjmë me dije se reshjet e dendura të shiut të datës shtatë deri në 11 janar, sollën përmbytje në disa zona të vendit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore