Sport

Real-i, i hapur për të dëgjuar ofertat për Varane-n


Real Madrid-i do të dëgjojë çdo ofertë që i vjen në drejtim të qendërmbrojtësit francez, Raphael Varane, i cili duket se nuk është i bindur për të rinovuar me Los Blancos.

Francezi bëri një paraqitje të shkëlqyer në Bergamo, në ndeshjen e 350 me Real-in. Ai tashmë është në sezonin e tij të 10 me madrilenët, ku ka fituar 18 trofe dhe ka fituar vendin e titullarit fiks prej kohësh. Por, e ardhmja e tij në Madrid duket e pasigurt.

Kontrata e Vanrane-s skadon në qershorin e 2022 dhe bisedimet për një kontratë të re kanë ngecur. Mbrojtësi diskutoi largimin edhe në 2019, por tekniku Zinedine Zidane e bindi që të qëndronte. Madje, dhe vetë klubi dha një mesazh të fortë, kundrejt klubeve që e kërkonin francezin.

“Varane vlen 500 milionë”, që praktikisht është klauzola e lirimit të tij. Por tani klubi ka ndryshuar qëndrim, duke i ulur ndjeshëm pretendimet ekonomike për lojtarin.

Në Madrid janë të vetëdijshëm se Varane do të hyjë në vitin e fundit të kontratës në qershor dhe ata rrezikojnë ta humbin falas, ndaj mundësia e vetme që të përfitojnë diçka nga Varane është që ta shesin këtë verë, gjithmonë nëse nuk rinovon.

Varane shihej si zëvendësuesi i Sergio Ramos-it në Madrid, lojtari ideal që do të trashëgonte rolin e kapitenit, por që mund të largohet së bashku me Ramos-in që këtë verë. Francezi nënshkroi me Real-in që në moshën 18-vjeçare, në 2011, kur erdhi nga Lens-i, për shifrën e 10 milionë eurove dhe me rekomandimin e Zidane-t.

Roli i tij brenda ekipit është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve dhe nën udhëheqjen e një sërë trajnerësh, si: Jose Mourinho, Carlo Ancelotti, Rafael Benitez, Julen Lopetegui, Santiago Solari dhe Zidane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore