Shqipëria

Rama vendos synimet për vitin 2023: Projekte, punë dhe rezultate konkrete


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se në vitin 2023 po bëhen “projekte konkrete dhe punë konkrete, për rezultate konkrete”.

Lajmi u bë i ditur gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar me të gjitha ministrat.

Kujtojmë që kjo e fundit ka nisur prej disa orësh dhe ende nuk ka përfunduar.

“Shumë për të thënë, po sidomos shumë për të bërë, duke pasur çdo ditë parasysh mbi të gjitha ata që kanë më shumë nevojë”, shtoi kreu i Qeverisë.

Më herët, autoritetet shqiptare vendosën të mbështesin disa kategori me një shumë të caktuar për të përballuar gjatë dimrit “impaktin e inflacionit të luftës”.

E quajtur “Pakoja e Madhe”, mbështetja prej 8 miliardë lekësh për 1 milion shqiptarë, ka filluar të shpërndahet nga qeveria.

Fillimisht, do të jenë më shumë se 12 mijë punonjës të administratës me pagë nën 60 mijë lekë bruto, duke nisur nga sanitaret, punëtorët e shërbimeve mbështetëse, shoferët, nëpunësit e shkallëve më të ulëta, të cilët do të përfitojnë një vlerë prej 20 mijë lekësh.

20 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” do të shkojnë edhe për efektivët e Renea-s, të Forcave Speciale Delta, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Njësisë Operacionale.

Të gjithë punonjësit e Sistemit të Burgjeve do të përfitojnë gjithashtu 10 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” e mbështetjes qeveritare.

Më herët, u lajmërua se infermieret me pagë nën 60 mijë lekë do të marrin 20 mijë lekë, ndërsa ato me pagë mbi 60 mijë, ashtu si edhe mjekët – do të marrin 10 mijë lekë.

Më shumë se 6 mijë mësues dhe edukatorë me pagë bruto nën 60 mijë lekë do të përfitojnë 20 mijë lekë, ndërkohë që 30 mijë mësues dhe edukatorë të tjerë, me pagë bruto mbi 60 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë.

Efektivët e këmbësorisë, ushtarët bazë dhe nënoficerët nga Forcat e Armatosura, pavarësisht pagës së tyre të rritur, do të përfitojnë 20 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe”.

Për zjarrfikësit është parashikuar gjithashtu një mbështetje prej 20 mijë lekësh nga “Pakoja e Madhe” e këtij dimri.

Inspektorët, nënkomisarët dhe komisarët e Policisë së Shtetit do të përfitojnë 10 mijë lekë, pas rritjes së pagave para disa muajsh.

Nga skema e mbështetjes, do të përfitojnë edhe pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.

Pensionistët do të marrin 8 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” dhe përftues do të jenë 695 mijë syresh.

8 mijë lekë do të shpërndahen për çdo familje me ndihmë ekonomike, ndërsa gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20 mijë lekë.

Personat me aftësi të kufizuar do të mbështeten nga qeveria gjithashtu me 8 mijë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore