Lajme

Rama: Qytetarët të kenë kujdes nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Një burrë 30-vjeçar ka humbur jetën dhe një grua, 30-vjeçare po ashtu, është lënduar, pasi janë zënë nga lisi që u rrëzua në lagjen “Pejton” në Prishtinë, si pasojë e motit të ligë dhe erërave të forta.

Lidhur me këtë ka reaguar, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shprehur ngushëllime ndaj familjes së të ndjerit.

“Me shumë keqardhje mora lajmin për humbjen e jetës së një qytetari si pasojë e dëmeve nga stuhia që përfshiu sot Kryeqytetin”.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e të ndjerit, dhe të lënduarëve ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Rama.

Tutje, i pari i Prishtinës ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes të shtuar.

“Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim”.

Rrëzime të tjera të pemëve të ndryshme nga erërat e forta është njoftuar se kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Qytetarët kanë dërguar fotografi, duke dokumentuar dëmet e shkaktuara nga era.

Lisi i rrëzuar përballë Muzeut në Prishtinë

Në pasditen e së hënës ka filluar një rrebesh shiu i furishëm dhe gjithashtu erëra të forta.

Mot i ligë në Prishtinë dhe në gjithë territorin e Kosovës është paralajmëruar për gjithë javën.

30-vjeçarja, e cila mbeti e lënduar pas rrëzimit të një lisi në rrugën “Vaso Pasha”, në Prishtinë, është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në një bisedë për Albanian Post, mjeku kujdestar, Ejup Govori, ka deklaruar se 30-vjeçarja ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme dhe është jashtë rrezikut për jetën.

“Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetën, por ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar, por dyshohet për frakturë”.

Më tej, Govori sqaroi se lëndimet, të cilat ajo ka, mund të çojnë në rreziqe më të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore