Kosova

Erërat e forta: Humb jetën 30-vjeçari në Prishtinë


Rrëzimi i drunjve në Prishtinë në lagjen “Pejton” nga erërat e fuqishme.

Një burrë 30-vjeçar ka humbur jetën dhe një grua, 30-vjeçare po ashtu, është lënduar, pasi janë zënë nga lisi që u rrëzua në lagjen “Pejton” në Prishtinë, si pasojë e motit të ligë dhe erërave të forta.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën, përderisa e lënduara tjetër femër, po ashtu rreth 30 vjeç, është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

Rrëzimi i drunjve në Prishtinë në lagjen “Pejton” nga erërat e fuqishme.

Tutje, Borovci ka thënë se kanë nisur hetimet për këtë rast.

“Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

Në vendin e ngjarjes është raportuar se kanë dalë Drejtoria e Shërbimeve Publike nga Komuna e Prishtinës dhe mjekësia ligjore.

Personi që humbi jetën sot në Prishtinë, duke u bartur për në QKUK nga ndihma e shpejtë

Rrëzime të tjera të pemëve të ndryshme nga erërat e forta është njoftuar se kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Qytetarët kanë dërguar fotografi, duke dokumentuar dëmet e shkaktuara nga era.

Lisi i rrëzuar përballë Muzeut në Prishtinë

Në pasditen e së hënës ka filluar një rrebesh shiu i furishëm dhe gjithashtu erëra të forta.

Mot i ligë në Prishtinë dhe në gjithë territorin e Kosovës është paralajmëruar për gjithë javën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore