Lajme

Operacioni policor “Baroni” në Prishtinë dhe Gjilan, sekuestrohen armë zjarri


Policia e Kosovës. Foto nga arkivi.

Policia e Kosovës, të premten gjatë operacionit të koduar “Baroni”, ka gjetur dy bunkerë dhe armë zjarri.

Lajmin e ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media.

“Policia e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve hetimore dhe operative në terren ka zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit, i cili rezultoi me gjetjen e dy bunkerëve dhe disa armëve të zjarrit me municion”, thuhet në komunikatë.

Nga ky institucion i sigurisë është thënë se janë kontrolluar 5 shtëpi banimi në rajonin e Prishtinës dhe një vilë në fshatin Makresh-Gjilan.

Po ashtu janë përmendur edhe mjetet që janë sekuestruar.

“2 (dy) Bunkerë (vende të fshehta, të modifikuara në mënyrë shumë profesionale për fshehjen e gjërave ilegale), armë automatike, një karikator dhe 31 fishekë, armë zjarri, një karikator dhe 17 fishekë, arme e gjuetisë, një karikator dhe 6 fishekë, armë zjarri, një karikator dhe 7 fishekë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, për rastin është thënë se janë arrestuar dy persona, ndërsa i dyshuari i tretë është thënë  se gjendet në arrati.

Të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore