Shqipëria

Rama në tryezën e The Economist: Integrimi i padrejtë dhe i paparashikueshëm, po s’kemi alternativë tjetër


Edi Rama në tryezën e 25-të me radhë të organizuar nga qeveria e Greqisë në bashkëpunim me prestigjiozen “The Economist”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është treguar përsëri kritik dhe ka folur me mllef për ngufatjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por megjithatë ka konstatuar se shqiptarët s’kanë dhe s’duan të kenë alternativë tjetër.

Duke folur në tryezën e 25-të me radhë të organizuar nga qeveria e Greqisë në bashkëpunim me prestigjiozen “The Economist”, Rama deklaroi se përkundër situatës frustruese, jo vetëm për Shqipërinë, por gjithë Ballkanin Perëndimor, detyrat e shtëpisë do bëhen dhe sytë s’do largohen nga Unioni.

“Nuk kemi alternativë tjetër dhe nuk duam të ndjekim alternativë tjetër, veçanërisht këtu në Shqipëri ne e dimë se demonët ekzistojnë, jemi ballafaquar me ta në të kaluarën, dhe kemi mësuar mësimet në rrugën e vështirë. Por, s’ka alternativë tjetër, përveç se të fusim vendin tonë në këtë Union të paqes”, deklaroi Rama.

Kryeministri në fjalimin e tij nëntëminutësh, përmes videos, një pjesë të mirë prapëseprapë ia kushtoi situatës së “pakuptimtë të pritjes”.

“Problemi kryesor është që procesi i integrimit po bëhet i paparashikueshëm dhe shumë më i padrejtë. Më kujtohet pas anëtarësimeve të vitit 2004 gjërat ishin më të vështira për shtetet tjera dhe më pas edhe më vështirë”.

“Megjithatë, duhet të vazhdojmë dhe besoj fuqishëm se po bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe po shtyjmë përpara proceset me të gjithë hapat për të arritur atje, jo pse dikush po na kërkon, por është kjo që duhet të bëjmë për gjeneratat e ardhshme”.

Rama ka folur edhe për regjionin e Ballkanit. Është shprehur optimist se gjërat kanë ndryshuar për mirë, por gjithashtu kërkues se duhet bërë akoma më shumë.

“Dikur kur takova Aleksandër Vucic ishte një lajm i madh, tash është diçka e zakonshme. Por, duhet të shtyjmë përpara dhe kemi vendosur ta bëjmë, jo për ta ndarë regjionin, jo për të krijuar diçka në kontrast me vizionin e regjionit, por të udhëheqim me shembull”.

Në fund, si konkludim i fjalimit të tij, Rama i është kthyer përsëri integrimit në Bashkimin Evropian dhe situatës absurde të pritjes.

“Nuk mund të ikim dhe nuk duam. Por, është për me të vërtetë e vështirë për të vazhduar dhe në të njëjtën kohë të mbahemi në pritje”.

Rama foli edhe për atë se si shtetet e unionit dikur mbanin ligjërata për zbutjen e nacionalizmave në Ballkan, “derisa sot jemi pengje të nacionalizmave evropianë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore