Shqipëria

Rama në Abu Dhabi, i ftuar nderi në Konferencën e Politikave Ndërkombëtare


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten e 30 shtatorit ka udhëtuar drejt Abu Dhabi-t, ku është i ftuar nderi në Konferencën e Politikave Ndërkombëtare (WPC).

Këtë e ka njoftuar kryeministri, përmes një postimi në median sociale Facebook, mbrëmjen e të enjtes.

Ky është edicioni i 14-të i WPC, që do të mbahet nga data 1 deri më 3 tetor. Në punimet treditore të kësaj konference pritet të marrin pjesë udhëheqës nga e gjithë bota, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme me ndikim të rëndësishëm.

Konferenca e Politikave Ndërkombëtare

WPC u themelua në vitin 2008, për t’iu përkushtuar promovimit të një bote më të hapur, më të drejtë dhe të begatë.

Ky takim vjetor i nivelit të lartë, është i krijuar me qëllim që pjesëmarrësit të krijojnë lidhje të qëndrueshme me njëri-tjetrin.

Duke mbledhur së bashku figura kryesore nga të pestë kontinentet, udhëheqës politikë dhe biznesi, akademikë dhe gazetarë, përmes një frymë tolerance, kjo konferencë synon të kontribuojë në të mirën e përbashkët.

Përtej pjesëmarrësve, ky takim ka në fokus ndihmën ndaj popullatave të prekura në një kohë trazirash, të vazhdueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore