Shqipëria

Rama: objektivi bazë 78 mandate


Kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se mbrëmjen e sotme do të dorëzohet në kryesinë e partisë formacioni i skuadrës kombëtare për zgjedhjet e 25 prillit.

Të parët në lista

Kryeministri prezantoi disa nga kandidatët. Rama tha se vendet e para u duhet lënë të rinjve që janë aktorë të rëndësishëm të të gjithë projektit.

Edona Bilali do të jetë e para në Shkodër. Personazh i respektueshëm i komunitetit. Pedagoge e ekonomisë.

Pranvera Resulaj do të jetë e para në Vlorë. Kandidate e mbështetur me shumë këmbëngulje nga i gjithë komuniteti i biznesit të Vlorës. Ajo ka qenë për një periudhë kohe drejtore e tatimeve në Vlorë.

Greta Duraku do të jetë e para në Kukës. E angazhuar prej vitesh në sektorin privat, me profesion menaxhere.

Eni Zake e para në Korçë. Administratore e Universitetit “Fan Noli” në Korçë.

Lavdrim Krashi i pari në Dibër. Prej 1994 ka emigruar në Britaninë e Madhe. I njohur dhe i respektuar në Dibër.

Hatixhe Konomi do të jetë kandidatja e parë në qarkun e Beratit. Aktualisht nënkryetare në bashkinë Berat. Konomi ka kryer një master për menaxhim në Francë.

Najada Çomo dhe Luljeta Bozo do të jenë të parat në listë për qarkun e Tiranës. Të dyja dy kandidate të vyera për Partinë Socialiste.

Erion Braçe do të jetë i pari në listën e qarkut të Fierit.

Mirola Kumbaro të kryesojë në Gjirokastër.

Lindita Nikolla do të jetë e para në qarkun e Lezhës.

Milva Ekonomi do të jetë e para që do të kryesojë qarkun e Durrësit.

Objektivi Bazë dhe Maksimal i Partisë Socialiste

Objektivi bazë i Partisë Socialiste është që të arrijë 78 mandate dhe objektivi maksimal është 88 mandate.

“Në Shkodër është 4, maksimali 5. Në Kukës bazë dhe maksimal është 2. Në Lezhë baza 3, maksimali 4. Në Dibër baza 3. Në Durrës bazë 8, maksimali 9. Në Tiranë baza 19, maksimali 20. Në Elbasan baza 8, maksimali 9. Në Fier bazë 10, maksimali 11. Në Berat 5, maksimali 6. Në Korçë 6, maksimali është 7. Në Vlorë 8, maksimali 9. Nëse e shohim përmbledhjen, duke pasur parasysh objektivin minimal që është ai i 2017, të kemi objektiv bazë 78 mandate, dhe objektivi maksimal 88 mandate”.

Lidhur me kandidimin  Rama tha se do të vendoset në listën e parë të qarkut aty objektivi është më i madh.

Rama tha se janë përcaktuar objektivat për çdo qark. Ai  pohoi se do të vendoset aty ku është objektivi bazë për të maksimizuar objektivin.

“Vendet e para të listave ne i kemi trajtuar si ballina të imazhit të skuadrës”, deklaroi Rama.

Kreu i partisë Socialiste deklaroi ndryshimi është pika e parë e manualit të kësaj partie, të  cilën e ka filluar fillimisht Fatos Nano.

“Jemi munduar të analizojmë pritshmëritë e publikut duke i analizuar me kontaktet e vazhdueshme në terren, me interesimin e vazhdueshëm në komunitete dhe grupe interesi duke u mbështetur në anketimet e bëra. Këto anketime janë bërë në mënyrë të përmuajshme në shkallë kombëtare dhe shkallë qarqesh”.

Kryeministri Rama falënderoi Vasilika Hysën dhe Eglantina Gjermenin për kontributin e dhënë këto 12 vite.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore