Shqipëria

Qeveria shtyn me 1 vit kontratën e markimit të karburanteve


Kontrata e markimit të karburanteve është shtyrë nga Qeveria shqiptare edhe me një vit tjetër.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi për “Miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive Global Fluids International S.A. dhe Petroleum Consulting Partners A.G”, raporton Monitor.

Kjo, miratuar me vendimin nr.200, datë 13.3.2013, të Këshillit të Ministrave.

Kontrata e koncesionit, sipas vendimit, është 11 vjet duke filluar nga data efektive.

Sakaq, vendimi nuk i jep arsyet e e shtyrjes, por vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.

Kontrata duhet të përfundonte më 1 gusht 2023, por edhe pas kësaj date kompanitë kanë vijuar të paguajnë, përndryshe nuk u bëhej zhdoganimi.

Ndërkohë, argumenti i koncesionarit për shtyrjen lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka qenë kundër kësaj shtyrje.

Sipas saj, me gjithë këmbënguljen për t’u ballafaquar me përfaqësues të institucioneve përkatëse se pse duhet shtyrë, apo duhet të vazhdohet të paguhet ky koncesion, nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ky koncesion, sipas shoqatës, nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe ajo që nuk paguan akcizë.

Për këtë kontratë janë paguar për 9 vite rreth 30 milionë euro. Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Ndërkaq, shtyrja edhe për një vit do të rëndojë në çmimin e naftës dhe me 7-8 milionë euro të tjera, aq sa është pagesa që operatorët e naftës bëjnë në vit për këtë koncesion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore