Lajme

Qeveria që flet për media, jo me mediat


Ilustrim

Si të gjitha qeveritë e tjera, nëse jo më shumë se ato, edhe qeveria e Albin Kurtit për gjatë këtij një viti qeverisje, është shquar për mostransparencë në raport me mediat.

Institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet që janë në pronësi publike, janë pothuajse të mbyllura.

Në pyetjet e mediave dhe gazetarëve drejtuar Qeverisë dhe dikastereve të saj për çështje të ndryshme në shumë raste nuk kanë marrë përgjigje asnjëherë, ose në raste më të mira, kanë marrë përgjigje të vonuara apo përgjigje jo adekuate në raport me pyetjet e dërguara.

Nga ana tjetër në disa raste zyrtarë qeveritarë i kanë quajtur mediat si media të kapura.

Mbyllja e Qeverisë Kurti nga analistët politik është konsideruar edhe si arrogancë e numrave, përkundër se pavarësisht numrave, ajo është e obliguar të jetë transparente.

Lidhur me ankesat e mediave dhe gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) për Albanian Post ka thënë se kanë pranuar ankesa për mostransparencën e institucioneve, andaj edhe vetë Bordi i AGK-së, e ka ngritur si shqetësim një gjë të tillë.

Sipas AGK-së transparenca është obligim institucional si dhe një nga parimet bazë në një vend demokratik.

“Secili institucion e ka për obligim të përgjigjet në pyetjet e çdo qytetari, e jo vetëm pyetjeve të gazetarëve”.

 

AGK

“Si AGK edhe një herë u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë që ankesat për mostransaprencë t’i drejtojnë tek Komisionerja për Informim dhe Privatësi”.

Kurse, nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) për Albanian Post kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë për mostransparencë të institucioneve qeveritare, por se për KMShK-në, mos komunikimi i qeverisë me media është çështje “mjaft shqetësuese dhe pengon punën e gazetarëve dhe mediave”.

Sipas tyre “Transparenca radikale” e premtuar nga institucionet nuk po vërehet në praktikë, përkundrazi, institicionet shpesh radikalisht po mbyllen për gazetarë dhe atyre nuk po iu ofrohen informacionet e kërkuara.

KShMK

“Në këtë mënyrë institucionet po tregojnë se nuk janë të gatshme të ndajnë me mediat informacione, ndonëse obligohen me ligj. Gazetarët dhe mediat duhet ndjekur deri në fund procedurat për marrjen e informacionit dhe dokumenteve, sepse është e drejtë e tyre e garantuar”, kanë thënë nga KShMK.

Analisti Shkodran Ramadani është shprehur se mungesa e komunikimit mes Qeverisë dhe mediave është lajm i keq për shkak që mediat janë disa prej mekanizmave më efikas në monitorimin e Qeverisë dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të saj.

Ai ka thënë se mediat janë ato që ofrojnë transparencën e nevojshme për informimin e drejtë të qytetarët për të gjitha çështjet që lidhen me shërbimet publike dhe obligimet që shteti ka në raport me qytetarët.

Ramadani për Albanian Post pohon se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë “shkelje flagrante të premtimeve të dhëna sa ishte në opozitë”.

“Lëvizja Vetëvendosje para se të vinte në pushtet kritikonte qeveritë e kaluara për mungesë transparence, për keqinformim dhe për terr informativ në lidhje me punën e qeverisë, ndërkohë që ajo tani ka vendosur një standard krejt të ri në krahasim me qeveritë e kaluara, ku zyrtarët qeveritarë nuk marrin pjesë në paraqitje televizive, në intervista e në debate”.

Shkodran Ramadani, Analist

“Kjo është një edhe arsye shtesë që na bënë të besojmë që qeveria mendon se ka legjitimitet të cilin ajo do ta shfrytëzojë në këtë mënyrë, dhe se është duke pretenduar se nuk ka nevojë të jap më shumë llogari për shkak që ajo e ka mbështetjen e madhe qytetare dhe si e tillë, kjo e imunizon në çfarëdo llogaridhënie në raport me mediat”.

Mos-transparenca e qeverisë sipas Ramadanit do të rritë edhe më shumë konfliktin me media.

“Mediat të cilat njihen të anashkaluara dhe të injoruara nga qeveria, normalisht që do të kenë arsye shtesë për sulmet e mëtutjeshme edhe për kritikë edhe më vigjilente”.

Ndërsa, publicisti Halil Matoshi, është i mendimit se gazetarët duhet ta shfrytëzojnë edhe më shumë mekanizmin ligjor për qasje në dokumente zyrtare.

“Qeveria po del para gazetarëve në Press Konferenca për të shitë punën e vet, por nuk po i del ashtu, sepse është joprofesionale”.

Halil Matoshi, Publicist

“Gazetarët duhet ta shfrytëzojnë më shumë dhe më dendur mekanizmin ligjor të qasjes në dokumente zyrtarë, si për shembull për Fondin e Shëndetësisë 2020, si Fondin e Sigurisë, për dialogun dhe për skemat sociale që po e hajnë shtetin nga brenda”, ka deklaruar ai për Albanian Post.

Gjatë seancës solemne në shënimin e përvjetorit të 14 të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kurti në fjalën e tij kishte lavdëruar punën e qeverisjes së tij nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kishte kritikuar mediat në Kosovë, kinse për shpërndarje të dezinformatave për punën e qeverisë.

“Është detyrë e qeverisë që punët t’i bëjë në dritën e diellit e të rrisë transparencën, por qeveria e vetme nuk mund të mbrojë demokracinë nga dezinformatat. Kjo është detyrë e secilit. Njëjtë siç korrupsioni në institucione publike rrënon besimin e qytetarëve në demokraci e në qeveri, dezinformatat rrënojnë besimin në media të lira e të pavarura”.

“Një demokraci pa media të lira e të pavarura është çdoherë në rrezik. Në fakt, dezinformatat janë kërcënim direkt ndaj demokracisë sepse ato keqinterpretojnë të vërtetën dhe shtrembërojnë realitetin”, kishte thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të shënimit të përvjetorit të 14 të shpalljes së Kosovës shtet të pavarur – 17 shkurt, 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore