Lajme

Kurti: Kemi nënshkruan kontratë me Pfizer për blerjen e vaksinave


Albin Kurti

Kosova më në fund ka arritur të nënshkruajë marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e vaksinave anti-COVID-19.

Kështu ka bërë me dije kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’”, ka deklaruar Kurti.

“Tash duke iu falënderuar kësaj, ne do të mund të bëjmë vaksinimin edhe përtej grupeve me prioritet dhe të shkojmë në mënyrë të sigurt drejt zotimit që të përmbyllim imunizimin e popullsisë sivjet, përkatësisht 60 % të qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Por, Kurti nuk ka treguar se për çfarë sasie bëhet fjalë dhe as detaje të tjera.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se vaksinimi masiv është kryefjala aktuale e Qeverisë së Kosovës.

Vitia ka deklaruar se do të fillojë plani për vaksinimin masiv të popullatës nga 15 qershori i këtij vit.

“Plani i vaksinimit në masë nënkupton administrimin e një numri shumë më të madh të vaksinave brenda një muaji që mendohet mes 300mijë deri 400mijë vaksinave në muaj”, ka deklaruar ai.

Ministri Vitia është shprehur se ky angazhim ka për qëllim përmbylljen e fazës së parë dhe fillimit të fazës së dytë të vaksinimit dhe për këtë Ministria e Shëndetësisë së bashku me dikasteret e tjera po kryen veprime konkrete në shumë drejtime.

“Angazhimi për të siguruar dhe dinamizmi ka synim përmbylljen e fazës së parë dhe të fillimit të fazës së dytë. Do të kemi edhe doza të tjera ditëve dhe javëve në vijim, sepse procesi i vaksinimit është i domosdoshëm”, është shprehur ai.

Ndërsa Vitia ka deklaruar se deri në fund të vitit pritet që të arrijnë edhe 1.2 milionë vaksina nga kompania Pfizer por se s’mund të flas më shumë.

“Duhet të kuptoni një gjë, për shkak të shumë termave të konfidencialitetit që i kemi me kompaninë Pfizer, nuk mund të ju japim më shumë informata, por deri në fund të vitit pritet të arrijnë mbi 1,2 milionë vaksina Pfizer”, ka thënë Vitia gjatë konferencës për media.

Kjo është kontrata e parë e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës për sigurimin e vaksinave për imunizimin e qytetarëve.

Te gjitha vaksinat e ardhura në Kosovë, kanë qenë nga donacionet e ndryshme, siç ishte ky i fundit prej 100 mijë vaksinash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore