Lajme

PSD-ja, Qeverisë: Shef i Byros së Konfiskimit të bëhet Martin Berishaj


Partia Socialdemokrate.

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas miratimit të ligjit për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikuar.

Kjo parti i ka propozuar Qeverisë në mënyrë ironike që shef të Byros të Konfiskimit ta bëjë Martin Berishaj, emri i të cilit është përfolur për korrupsion.

“Shef i Byros së Konfiskimit, të bëhet Martin Berishaj!”.

“Edhe me ndryshimet e bëra, Byroja për Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme ngelet një instrument i sofistikuar politik i Albin Kurtit”, thuhet në komunikatën e PSD-së në rrjetin social ‘Facebook’.

Akuza kanë lëshuar edhe ndaj partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e bërë bashkëfajtore për miratimin e këtij ligji.

“Asnjë vend evropian nuk e ka një mekanizëm të tillë. Nevoja për ta dëshmuar pafajësinë përpara këtij pushteti nënkupton pranimin e tij si instancë etike. Bash kur skandali Martin Berishaj po bën kërdinë, disponimi antikorrupsion i tyre shkoi në VV. Inferioriteti në LDK po e çon atë te pushteti, ende pa marrë pushtet”.

Tutje, është thënë se nuk ka ndryshuar kontrolli i përzgjedhjes së organeve drejtuese e mbikëqyrëse të Byrosë.

“Gjithashtu, nga 5 anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të këtij institucioni, 4 janë nën kontrollin politik të Qeverisë duke pamundësuar një mbikëqyrje të pavarur. Zëvendësi i Avokatit të Popullit dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, dhe Auditori i Përgjithshëm zgjedhën me shumicë të votave në Kuvend, përderisa Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare zgjedhet nga Qeveria”.

Nga PSD-ja, është potencuar se ndryshimet e bëra në projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme nuk e kanë zbehur karakterin e këtij institucioni për ta përdorur si një mekanizëm për të bërë “gjueti shtrigash”.

“Për më tepër, ndryshimet e bëra vetëm sa i kanë shërbyer një fshehjeje të sofistikuar të kontrollit absolut që pushteti do ta ketë mbi këtë institucion”.

Ata kanë shprehur shqetësim se ky mekanizëm do të çoi në stërngarkim të gjykatave me lëndë dhe si pasojë “do të shkaktonte pasiguri me të gjitha pronat që do bëhen objekt shqyrtimi nga to, vazhdojnë të jenë reale dhe tejet shqetësuese”.

Më 9 nëntor, Kuvendi i Kosovës, me 66 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji i miratuar tashmë nga deputetët, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është njëri ndër projektligjet më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës që ka për qëllim luftimin krimin të organizuar dhe të korrupsionit dhe sidomos pasurinë e pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore